Azerbajxhan, manipulime në zgjedhje

10/10/2013 15:45

Kandidati kryesor i opozitës në Azerbajaxhan kërkoi anullimin e rezultatit të votimeve të përgjithshme të së mërkurës dhe mbajtjen e zgjedhje të reja, pasi akuzoi presidentin Aliyev për “manipulimin e gjerë të votës”.

Ilham Aliyev fitoi në këto zgjedhje një mandat të tretë në krye të vendit, me rezultatin zyrtar që tregoi një mbështetje prej mbi 80% për të.

Megjithatë, për kundërshtarin Jamil Hasanli zgjedhjet “nuk ishin të lira dhe të drejta”.

Ai pretendon se ka prova të shumta për përfshirjen e qeverisë në manipulim dhe në shkeljen e barazisë gjatë fushatës zgjedhore, nëpërmjet kontrollit të plotë të të gjithë televizioneve në vend.

Vëzhguesit europianë i konsideruan këto zgjedhje si “me probleme serioze”.

Për OSCE-në, “ka të dhëna të qarta për mbushjen e kutive të votimit në 37 qendra votimi” si dhe parregullsi në numërimin e 58% të totalit të votave.

Hasanli, drejtuesi i një koalicioni të opozitës, në bazë të rezultateve arriti të grumbullonte vetëm 5% të votave.

Familja Aliyev kontrollon ish-Republikën Sovjetike të pasur me rezerva të shumta nafte dhe gazi natyror prej dy dekadash.

Top Channel