Policia australiane deklaron se ka sekuestruar armë, municione dhe drogë
në një seri bastisjesh në bazat e bandës së motorçiklistëve Ëngjëjt e
Ferrit, në shtetin e Viktorias.
Rreth 60 prona janë bastisur në orët e para të së enjtes, në një operacion ku janë përfshirë mbi 700 policë, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Lëvizja vjen disa ditë pasi ligjet për kontrollet hynë në fuqi, duke e bërë më të lehtë për policinë bastisjen e pronave të lidhura me bandën famëkeqe.
Në muajt e fundit në shtetin e Viktorias janë verifikuar një seri aktesh dhune të lidhura me Ëngjëjt e Ferrit, që kanë lënë jo pak viktima.
“Ne kemi sekuestruar një numër të madh armësh zjarri, sasi të mëdha municionesh dhe droge, si dhe para të thata”, ka deklaruar oficeri i lartë i policisë Steve Fontana.
Sipas tij, në njërën prej pronave të bastisura policia gjeti aq shumë municione sa iu desh të thërriste një kamion për t’i transportuar.
Gjithësesi, zyrtari ka shtuar se policia është ende në kërkim të armëve të tipit ushtarak me fuqi të fortë zjarri, që dyshohet se zotërohen nga banda.
Ditën e dielë shteti i Viktorias prezantoi ligjet që i lejojnë policisë të heqë barrierat, kamerat dhe kurthet në pronat e bandës së motoçiklistëve gjatë bastisjeve.
Javën e kaluar tetë anëtarë të dy bandave rivale, Ëngjëjt e Ferrit dhe Komançero, u akuzuan nga autoritetet e Melbërnit në lidhje me një shkëmbim zjarri.
Vitin e kaluar policia paralajmëroi se konfliktet e armatosura mes bandave të motorçiklistëve, disa prej të cilave të verifikuara në Sidnej, ishin një hap larg konsiderimit të një lufte të mirëfilltë.
Top Channel