Partia Demokratike e Kosovës hapi fushatën zgjedhore në bastionin e saj, në Skënderaj, pa kandidatin për kryetar, Sami Lushtaku.

Lushtaku aktualisht është në vuajtje të masës së paraburgimit, si i akuzuar për krime lufte. Në debatet zgjedhore për zgjedhjet e 3 nëntorit, ai prezantohet nga dikush tjetër. Para simpatizantëve të PDK-së, ku e pranishme ishte edhe bashkëshortja e z. Lushtaku, Thaçi tha se ushtarët e UÇK-së do të ngadhënjejnë sërish.

“Edhe pse e di se, të gjithë ne ndihemi paksa të lënduar, një gjë dua të them. Për Sami Lushtakun dhe gjithë bashkëluftëtarët e tjerë, ne të gjithë besojmë në pafajësinë e tyre, ndaj dhe do të ngadhënjejmë edhe sot, edhe në të ardhmen”, tha Thaçi.

Nga Skënderaj, Thaçi, i shoqëruar nga bashkëpunëtorë të partisë, kabinetit qeveritar e të Kuvendit, u nis drejt Komunës së Drenasit, po kështu bastion i PDK-së, por që në këto zgjedhje dega e PDK-së është e ndarë. Thaçi u kërkoi atyre që duan të dalin nga PDK-ja, që të kthehen në shtëpi.

“Dëshiroj që t’u dërgoj edhe një mesazh disave, që e mira i ka çuar në pesë, të kthehen në shtëpinë e vet. Drenica dhe Drenasi e kanë pasur, e kanë dhe do ta kenë një adresë: Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Partinë Demokratike të Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Mustafa, fushatë në Prishtinë
“Zgjidhje ujit të pijshëm dhe ujërave të zeza. Ngrohjen e qytetit”

Të martën, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në kuadër të fushatës zgjedhore për Prishtinën, premtoi realizimin e projekteve për furnizim me ujë, ngrohjen e qytetit dhe zgjidhjen e problemit të ujërave të zeza.

“Projekti ka filluar në vitin 2009, praktikisht para 4 vitesh e gjysmë, objektivat e të cilit kanë qenë që Prishtina të furnizohet me ujë 24 orë në ditë, që të përmirësohet cilësia ose kualiteti i ujit dhe të përmirësohet largimi i ujërave të zeza nga Prishtina. Vlera e përgjithshme e këtij projekti është 62 milionë euro, nga të cilat gjysma, apo rreth 30 mln euro i përkasin rikonstruksionit të rrjetit të ujësjellësit”, u shpreh Mustafa.

Sipas LDK-së, projektet e tyre do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve, në zhvillimin ekonomik të komunave, e në sektorë të ndryshëm, siç janë shëndetësia, arsimi, infrastruktura e të tjerë.

Top Channel