Në një operacion të kryer në Prishtinë mbrëmjen e kaluar, Policia e Kosovës nën mbikëqyrjen e prokurorisë së EULEX-it arrestoi tre qytetarë vendas të dyshuar për pjesëmarrje në një grabitje me armë në Mbretërinë e Bahrejnit në shtator të këtij viti.

Të dyshuarit janë arrestuar me akuza për sulm, duke shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në një grup të organizuar që ka kryer grabitje të rëndë. Në të njëjtën kohë janë kryer bastisje të katër shtëpive.

Ata akuzohen se kanë vjedhur stoli të çmuara, kryesisht ora dore të shtrenjta, me vlerë mbi 1.1 milion euro. Hetimet lidhur me këtë rast po i kryen Policia e Kosovës, nën mbikëqyrjen e një prokurori të EULEX-it nga Prokuroria Speciale.

Operacionin e ka autorizuar një gjyqtar i  EULEX-it për proçedurë paraprake nga Gjykata Themelore në Prishtinë, njoftohet në një komunikatë për shtyp nga misioni evropian për rendin dhe ligjin.

Top Channel