Dhjetë terroristët më të kërkuar të botës

09/10/2013 19:00

Për më shumë se një dekadë, Osama Bin Laden u shndërrua në sinonim të terrorizmit botëror.

Themeluesi i grupimit famëkeq të Al-Kaedës ndërtoi një reputacion të frikshëm pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, ndërsa arriti që të gruponte nën ombrellën e Al-Kaedës një tërësi fraksionesh terroriste, duke krijuar kështu strukturën më të rrezikshme të njohur ndonjëherë të ekstremizmit fetar.

I vrarë përpara dy vitesh në vendbanimin e tij të fshehtë në Abodabad, Pakistan, Bin Laden i ka lënë vendin drejtuesve të rinj të terrorizmit, shumë më pak të njohur, por jo më pak të rrezikshëm.

Kjo është lista e përditësuar e dhjetë terroristëve më të rrezikshëm të planetit, publikuar nga “CNN” këtë të mërkurë.

1. Ayman al-Zawahiri

Lideri aktual i aktual i Al-Kaedës konsiderohet prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës si njeriu më i rrezikshëm në botë. Pasardhësi i Bin Ladenit besohet se është i përfshirë drejtëpërsëdrejti në planifikimin, drejtimin dhe realizimin e disa sulmeve terroriste në të gjithë globin. Shpërblimi për çdo informacion që do të dërgojë në kapjen e tij është fiksuar në të njëjtën vlerë me atë shpërblim që rëndonte mbi Bin Ladenin, 25 milionë dollarë.

2. Nasir al Wuhayshi

Arkitekti i sulmit ndaj ambasadës amerikane në Jemen në vitin 2006, ka një CV jashtëzakonisht të pasur me aktivitete terroriste në krahasim me moshën e tij 36-vjeçare. Ai konsiderohet si “drejtori i përgjithshëm i Al-Kaedës”, një person me një influencë po aq të madhe sa edhe al-Zawahiri dhe drejton degën e Gjirit Persik të organizatës terroriste më famëkeqe të botës.

3. Ibrahim al Asiri

Konsideroi si “gjeniu” i Al-Kaedës, 31-vjeçari është një bombëbërës i shkëlqyer, që shqetëson shumë perëndimin për mënyrën se si mund të maskojë një bombë. Ai është njeriu që furnizoi një kamikaz me një bombë që kaloi skanerin e aeroporteve dhe për pak shkatërroi një avion në ajër në linjën Amsterdam-Detroit ne 2009-n, ndërsa bombat e tij i kanë shpërtuar më parë pikasjes edhe nga policia britanike apo saudite. Me shtetësi saudite, al-Asiri konsiderohet si përgjegjës për ndërtimin e shumë prej bombave që ka përdorur Al-Kaeda në sulmet e saj vetvrasëse.

4. Ahmed Abdi Godane

Godane, i njohur ndryshe si Mukhtar Abu Zubayr u shndërrua në lider të Al-Shababit, organizatës somaleze me lidhje të ngushta me Al-Kaedën në vitin 2008. Ndonëse Al-Shababi është fokusuar gjerësisht në ndërtimin e një shteti islamik në Somali, duket se Godane ka riorientuar strategjinë e grupit, duke vendosur në shënjestër edhe objektiva në SHBA e Europë, ndërsa ishte i përfshirë edhe në sulmin e fundit mbi qendrën tregtare në Kenia. Shpërblimi për kokën e tij ësht 7 milionë dollarë.

5. Moktar Belmoktar

Organizatori i pengmarrjes së ndodhur më parë gjatë vitit në Algjeri në një kompleks industrial, ku disa dhjetëra shtetas të huaj e algjerianë mbetën të vrarë, Moktar Belmoktar është raportuar disa herë i vdekur, por ende nuk ka një konfirmim për këtë. i njohur ndryshe me nofkën “Malboro” për shkak të  preferencës së tij për këtë lloj cigareje, Belmoktar është lideri i Al-Kaedës në Afrikën Veriore dhe për kokën e tij është vendosur një shpërblim prej 5 milionë dollarësh.

6. Abu Muhammad al Julani (portreti i tij i panjohur)

Pak njihet për jetën e al-Julanit, përveç faktit që ai është drejtuesi i Frontit të Al-Nusrës në Siri. Komanduesi i 10 mijë luftëtarëve xhihadistë, me shumë ndikim në Siri dhe Irak, është përgjegjës për shumë vepra terrori në luftën kundër presidentit al-Assad, përfshi vrasjen e civilëve që vlerësohet se nuk kanë nivelin e duhur të besimit. Ishte një luftëtar i Al-Nusrës ai që bëri xhiron e botës, në një video të publikuar më parë gjatë vitit 2013, në të cilën ai shfaqej duke ngrënë zemrën e një ushtari të sapovrarë të ushtrisë siriane.

7. Abu Bakr al-Baghdadi

Në muajt e fundit, me qindra persona kanë mbetur të vrarë në sulmet terroriste të ndodhura në të gjithë Irakun. Al-Baghdadi është arkitekti i kësaj fushate terrori, të ndërmarrë nga kamikazët që është në gjendje të rekrutojë, me qëllim zhdukjen e shiitëve që përbëjnë 35% të popullsisë së Irakut. 10 milionë dollarë ofrohen nga SHBA për kapjen e tij.

8. Sirajudin Haqqani

Duke kaluar vazhdimisht midis Afganistanti dhe Pakistanit, disa grupe janë shndërruar në kërcënuese për SHBA-në dhe forcat e NATO-s në Afganistan. Ndër më të rrezikshmit prej këtyre grupeve është edhe “Rrjeti Haqqani”, emërtuar sipas mbiemrit të liderit, përgjegjës për dy sulme në hotelet ku qëndrojnë të huajt në Kabul, me një bilanc prej 18 të vdekurish. 5 milionë dollarë shpërblimi për kokën e tij.

9. Abubakar Shekau

Përgjegjësi i “Boko Haramit”, një grupim terrorist në luftë të hapur me shtetin nigerian që po destabilizon të gjithë Afrikën Perëndimore, Abubakar Shekaut i takon merita e ngritjes shumë të shpejtë të fraksionit të tij periferik, në një kryeqendër të terrorizmit. Përgjegjës për mijëra të vdekur, edhe pse është raportuar disa herë i vrarë në luftime, Shekau vazhdon të jetë i vërtetuar nga burime të shumta drejtuesi i “Boko Haramit”. Shtatë milionë dollarë janë vënë për kokën e tij.

10. Doku Umarov

Drejtuesi i Emiratit të Kaukazit, Doku Umarov kërkohet prej më shumë se një dekade në mënyrë të përditshme prej Rusisë, e eshte njeriu më i shumëkërkuar në listën ruse. Përgjegjës për luftën separatiste të çeçenëve radikalë dhe shumë akte terrorizmi në krahinën jugore ruse, shpërblimi për gjetjen e Umarov është vendosur në pesë milionë dollarë, për këdo që do të ofrojë informacione që do të çojnë në kapjen e tij.

Top Channel