Zyrtarët e qeverisë së Serbisë mund të vizitojnë Kosovën gjatë periudhës së fushatës zgjedhore, por jo për qëllime elektorale, por vetëm nëse adresa e tyre është vizita në ndonjë manastir.

Kështu deklaroi kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi një ditë pas takimit me homologun e tij serb Ivica Dacic dhe baroneshën Catherine Ashton në Bruksel.

I pyetur nga Top Channel nëse pala kosovare vuri kushte të hënën në Bruksel për sa i përket karakterit të vizitës së zyrtarëve serb, Thaci tha se qëllimi i Kosovës është mos krijohen probleme në raportet me Serbinë.

“Unë e kam theksuar që lëvizja e lirë është e garantuar dhe ne do të respektojmë standardet europiane, por edhe sa i përket vizitave, gjithcka është e përcaktuar sipas procedurave dhe rregulloreve, ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës. Qëllimi ynë ka qenë bashkëpunimi dhe ndërtimi i fqinjësisë së mirë, i raporteve, ndërsa në rast të ndonjë kërkesë nga autoritetet serbe për të vizituar Republikën e Kosovës, ajo kërkesë do të shqyrtohet me seriozitet, por në asnjë rrethanë me karakter elektoral, por nëse dëshirojnë të vizitojnë ndonjë manastir, atëherë natyrisht që ne do t’i lejojmë”, tha kryeministri Thaçi.

Ditë më parë qeveria e Kosovës prezantoi një qëndrim tjetër për sa i përket kësaj cështjeje, kur edhe refuzoi vizitën e kryeministrit të Serbisë Ivica Daciq në Kosovë. Zyrtarët qeveritar madje deklaruan së asnjë zyrtar serb nuk do të mund të hyjë në Kosovë gjatë fushatës zgjedhore. Këto deklarata nxitën reagimin e zyrtarëve ndërkombëtarë, por edhe të vetë kryeministrit të Serbisë i cili kërcënoi me bojkot të dialogut. Kryeministri i Kosovës Thaci të martën tha se edhe vendimet e radhës për sa i përket vizitave do të jenë autonome të qeverisë së Kosovës.

“Ne jemi autonom në vendimmarrjet tona dhe asnjë institucion ndërkombëtar. Pra ne vendosim nëse dikush viziton Kosovën ose jo”, deklaroi Thaçi.

Lejimi i zyrtarëve serb që të vijnë në kosovë gjatë fushatës zgjedhore është vendim i gabuar për lëvizjen vetëvendosje. Në një komunikatë për media nga ky subjekt politik thuhet se kjo kthen serbine ne kosove dhe “Pjesëmarrja e Daqiçit në fushatën elektorale në Kosovë është në kundërshtim me këtë logjikë normale të marrëdhënies mes shteteve sovrane.

Top Channel