Ngjarja e fundit tragjike në Lampeduza ka prekur dhe vënë në lëvizje institucionet kryesore evropiane. Gjatë takimit të ministrave të Brendshëm të BE-së në Luksemburg, komisionerja Cecilia Malmstrom do të propozojë zhvillimin e një operacioni me shkallë të gjerë ndihme dhe shpëtimi në detin Mesdhe.
“Ministri do të na tregojë nevojat e menjëhershme dhe analizën e situatës. Ndërsa unë do t’u propozoj vendeve anëtare, organizimin e një operacioni të madh kufitar, që nga Qiproja deri në Spanjë, për një operacion ndihme dhe shpëtimi në Mesdhe, duke u kërkuar mbështetjen dhe burimet e nevojshme për të shpëtuar më shumë jetë”, tha Cecilia Malmstrom, komisionerja evropiane për çështjet e brendshme.
Një ditë më parë, seanca plenare e Parlamentit Evropian nisi me një minutë heshtje, për viktimat e Lampeduzës.
“Do të doja të nisnim me një minutë heshtje dhe në këtë sallë do ketë qetësi, por nëpërmjet saj mund të dëgjohen klithmat. Klithmat e njerëzve, që humbën në një det të tërbuar, në kërkim të tokës, në kërkim të asaj, që ata menduan se ishte toka e premtuar… Ne jemi kontinenti më i pasur në botë dhe jemi në pozicionin për t’u ofruar mbrojtje, atyre që largohen nga mjerimi në vendet e tyre”, theksoi Martin Schulz, president i Parlamentit Evropian.
Të mërkurën, në shenjë mbështetjeje dhe solidariteti, presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, viziton ishullin e Lampeduzës, ku pritet të bëjë homazhe për viktimat e shumta, që kanë humbur jetët në mënyrë tragjike, në përpjekje për të mbërritur në brigjet e vendeve evropiane.
Përgatiti: Ernest Bunguri
Top Channel