Siri, përshpejtohet shkatërrimi i armëve kimike

08/10/2013 21:40

Një skuadër e dytë ekspertësh të armëve kimike do të dërgohen në Siri, për të përshpejtuar procesin e shkatërrimit të stokut të këtyre armëve në disponim të ushtrisë siriane.

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike deklaroi se “kemi bërë një fillim premtues, ndonëse procesi mbetet i gjatë dhe i vështirë”.

Nuk është ende e qartë se sa inspektorë do të dërgohen në Siri në këtë skuadër të dytë apo data në të cilën ata do të mbërrijnë në vend.

Nën një rezolutë të OKB-së, të ndërmjetësuar nga SHBA dhe Rusia e të pranuar prej Damaskut zyrtar, Siria zotohet që të shkatërrojë të gjithë arsenalin e armëve deri në datën 1 nëntor.

Në deklaratën e tij, shefi i ONAK-së, Ahmet Ozumçu, bëri me dije se qeveria siriane, ndërkohë ka paraqitur informacione të mëtejshme, në lidhje me vendndodhjen dhe hollësitë të tjera mbi armët e saj kimike.

Top Channel