Shoqata e të Verbërve të Kosovës, ishte vendi, ku kandidati për kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa, prezantoi programin e tij, për një tjetër mandat katërvjeçar.

Punësimi i anëtarëve të këtij komuniteti, lehtësi në qarkullimin me transportin publik, por edhe hapësira për funksionimin e shoqatës, si institucion që i mban të lidhur të verbërit, ishin disa nga kërkesat e përfaqësuesve të Shoqatës së të Verbërve të Kosovës.

“Ne kemi ndarë këtë vit rreth 2 milionë euro për të blerë një autobus. Kemi parashikuar që të ndajmë edhe për 3 vitet e ardhshme, në mënyrë që të bëjmë korsitë e rrugëve, që do t’u përgjigjen nevojave të të gjithë qytetarëve”, tha Isa Mustafa.

E një projekt infrastrukturor, që Isa Mustafa e ka lënë përgjysmë, për shkak të përplasjeve për shpronësimin e pronës së hekurudhës dhe doganave me pushtetin qendror, duket se do të mund ta kryejë kandidati për Prishtinën, nga radhët e PDK-së, Agim Çeku.

I shoqëruar nga ministri i infrastrukturës, Fehmi Mujota, kandidati i PDK, Agim Çeku, tha se do t’i përfundojë punimet për ndërtimin e unazës së brendshme të kryeqytetit, në mënyrë që të shkarkohet trafiku i tij.

“Ka mbetur vetëm që Komuna të ndërtojë këtë tram, nga rrethrrotullimi për ta lidhur me këtë rrugë. Por, unaza e brendshme nuk përfundon me këtë rrugë, ne duhet të vazhdojmë nga rrethrrotullimi i Arbërisë deri te xhamia e Llapit me përfundimin e unazës”, tha Agim Çeku.

Lëvizja Vetëvendosje prezantoi pjesë nga programi i saj, të cilat kanë për qëllim zhvillimin e sektorit të artit dhe kulturës. Shtrirja e rrjetit të bibliotekave dhe teatrove, programe për shkrimtarë të rinj, por edhe një qendër multimediale, ku prodhues të rinj mund të ushtrojnë pa paguar qira, janë disa nga premtimet e kandidatit Shpend Ahmeti.

“Ne do të regjistrojmë çdo artist në Komunën e Prishtinës, siç bëjnë edhe qytetet apo komunat e tjera nëpër Europë, që do të thotë se do të hapim procedurën e aplikimit për regjistrim për të gjithë artistët, që mund të merren me muzikë, art apo film, në mënyrë që të kemi një regjistër të artistëve veprues, sepse më pas synojmë ta sjellim artin te shkollat dhe do të jenë po këta artistë, që do të angazhohen me fëmijët”, tha Shpend Ahmeti.

Kandidati i AAK-së për kryetar të Prishtinës, Besnik Tahiri, prezantoi programin për përmirësimin e transportit publik. Tahiri tha qeverisja e tij me Prishtinën do të sigurojë transport gjithëpërfshirës të integruar, duke filluar nga: lirimi i hapësirave përmes parkingjeve, rrugëve anësore, që sistemojnë trafikun (baypass), ndërtimit të nënkalimeve në pjesët më të frekuentuara me këmbësorë, duke ndërtuar vendndalesa të reja dhe kabina pritëse.

Kandidati i AKR-së për Prishtinën, Korab Sejdiu, ka vazhduar fushatën zgjedhore në lagjen Velania, si dhe u ndal për homazh te varri i presidentit Ibrahim Rugova.

Top Channel