Në Bruksel u zhvillua raundi i jashtëzakonshëm i bisedimeve mes kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së.

Dialogu ishte ndërprerë për të rinisur pas zgjedhjeve lokale të nëntorit. Por, bllokimi nga Prishtina zyrtare e vizitës së kryeministrit serb, Ivica Daçiç, në Kosovë, për fushatën zgjedhore, dhe deklaratat e tij se kjo gjë rrezikon dialogun e Brukselit, bënë që shefja e diplomacisë evropiane, Catherine Ashton, t’i thërrasë palët në takimin e radhës, për të qetësuar “gjakrat”.

“Shpresoj, por edhe besoj, që do të vazhdojmë me trendin pozitiv të implementimit të të gjitha çështjeve. Është shumë me rëndësi, që po vazhdohet të punohet për zgjedhjet lokale, ku besoj që të marrin pjesë edhe serbët. Dhe, falënderoj çdo thirrje prej bashkësisë ndërkombëtare, edhe të lidershipit të Serbisë për serbët e Kosovës, që të dalin dhe të marrin pjesë në këto zgjedhje”, tha Hashim Thaçi, Kryeministër i Kosovës, përpara fillimit të bisedimeve.

Thaçi shtoi se zgjedhjet në Kosovë, sipas tij, do të jenë të suksesshme, me pjesëmarrjen masive të të gjitha komuniteteve. Ndërsa kryeministri serb, Ivica Daçiç, nuk dha deklarata para nisjes së bisedimeve, të cilat përfunduan pas mesnatës.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka theksuar se të gjithë zyrtarëve të Serbisë do t’u lejohet ardhja në Kosovë, nëse respektojnë procedurat zyrtare dhe bëjnë kërkesë tek autoritetet kosovare. “Kosova do të respektojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë, pa diskriminim”, ka thënë Thaçi. Kurse, Kryeministri serb, Ivica Daçiç, ka theksuar se ai do të mund ta vizitojë Kosovën, sikurse edhe çdo politikan i Serbisë. Ai ka deklaruar se nuk do kishte shkuar në Bruksel, sikur të mos ishin marrë vesh për këtë çështje, duke konfirmuar se në takim është biseduar për zgjedhjet e 3 nëntorit.

Përgatiti: Ernest Bunguri

Top Channel