
Komisioni parlamentar i veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit miratoi me votat e maxhorancës ndryshimet në ligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve, që parashikojnë ndaljen e importit të mbetjeve me qëllim riciklimin. Aleanca Kundër Importit të Plehrave, e cila ka lobuar për këtë çështje, përshëndeti vendimin.
“Mbyllet një dritare e madhe për të futur në Shqipëri mbetje të rrezikshme për qytetarët dhe vendin, si pasojë e mungesës së kapaciteteve administrative e kontrolluese të shtetit. Gjithashtu, bëhet një zhvendosje e fokusit të biznesit të riciklimit në funksion të riciklimit të mbetjeve tona”, deklaroi Blendi Kajsiu.
Drejtori i Politikave në Ministrinë e Mjedisit, Pëllumb Abeshi thotë se ministria do të marrë të gjitha masat për të bërë të mundur ndarjen e mbetjeve në burim, duke nisur nga institucionet publike.
“Ka rol të padiskutueshëm pushteti vendor, pasi është gjeneruesi i mbetjeve dhe menaxhuesi i territorit. Nuk ka bërë sa duhet. Ministria do të propozojë masat e duhura për menaxhimin e mbetjeve në Këshillin e Ministrave”, deklaroi Abeshi.
Edhe Shoqata e Ricikluesve kërkon nisjen sa më shpejt të menaxhimit të integruar të mbetjeve nga ana e pushtetit lokal, në mënyrë që kjo industri të mund të sigurojë lëndën e parë në vend.
“Dy janë kërkesat e industrisë së riciklimit: njëra që të bëjë menaxhimin e integruar në gjithë vendin dhe tjetra është implementimi i legjislacionit konform me atë të vendeve të BE-së, ku synojmë të aderojmë”, deklaroi Vullnet Haka nga Shoqata e Ricikluesve.
Në përfundim të seancës, kryetari i komisionit Eduard Shalsi vuri theksin tek nevoja e masave të tjera urgjente për menaxhimin e mbetjeve, në mënyrë që ky ligj të mos mbetet vetëm në letër por t’i shërbejë vërtetë pastrimit të vendit nga mbetjet, duke ndihmuar kështu edhe zhvillimin e biznesit të riciklimit.
“Në cilësinë e kryetarit të komisionit bëj me dije se do të kontrollojmë e monitorojmë me shumë kujdes dhe do kërkojmë llogari se ku jemi me angazhimet e marra. Është e pamundur që të pranojmë një Shqipëri të tillë në vitin 2013”, deklaroi Shalsi.
Top Channel