Një gjyqtar i proçedurës paraprake i EULEX-it, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, aprovoi të hënën kërkesën e një prokurori të EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) për t’ia vazhduar paraburgimin Naser Kelmendit deri më datën 7 janar 2014.

Kelmendi u arrestua në maj të vitit 2013 në bazë të një urdhëri të lëshuar prej një prokurori të EULEX-it nga PSRK-ja, i cili filloi hetimet lidhur me këtë rast. I pandehuri është duke u hetuar për veprat penale të krimit të organizuar, vrasjes dhe trafikimit të drogës.

Këto janë të njëjtat vepra për të cilat ai është hetuar prej autoriteteve shtetërore në Bosnje dhe Hercegovinë. Prokuroria dhe i pandehuri kanë të drejtën e ankesës kundër këtij vendimi.

Kelmendi, 55-vjeç, qytetar i Kosovës por lindur në Bosnjë dhe Hercegovinë, dyshohet se ka udhëhequr njërën nga familjet më të forta kriminale shqiptare në Ballkan.

Ai ishte futur në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara për trafikimin e drogave të rënda për në Evropën perëndimore, përmes Ballkanit.

Kelmendi, djemtë e tij Elvisi, Liridoni dhe Besniku, si dhe vëllai i tij Beqiri, dyshohen se zotërojnë një numër të madh biznesesh në Bosnjë, Mal të Zi, Serbi dhe Kosovë, duke përfshirë hotele dhe një kompani kamionësh.

Top Channel