Kina, e shqetësuar për borxhin amerikan

07/10/2013 18:40

Një zyrtar i lartë kinez paralajmëroi se nuk ka mbetur më shumë kohë për të shmangur një falimentim të qeverisë amerikane, pas ngërçit që ka përfshirë dy partitë kryesore në SHBA mbi tavanin e borxhit.

Nga data 1 Tetor, administrata amerikane qëndron pjesërisht e pezulluar, ashtu si një pjesë e shërbimeve të tjera, pasi republikanët refuzuan që të votonin pro kalimit të buxhetit federal.

Sipas Kinës, një falimentim i mundshëm i qeverisë amerikane do të dëmonte rëndë interesat e saj dhe ato të ekonomisë botërore.

Pekini është kreditori më i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Jemi natyrisht të shqetësuar me zhvillimet që lidhen me problemet fiskale të SHBA-ve”, deklaroi zëvendësministri i Financave, Zhu Guanyao.

Uashingtoni duhet të gjejë një marrëveshje për të rritur kufirin e borxhit deri në 17 tetor ose në rast të kundërt rrezikon që të mos jetë në gjendje të paguajë borxhet dhe faturat e tij.

Në fjalën e tij, Guanyao bëri një thirrje që “SHBA duhet të ndërmarrin sa më shpejt masat për të zgjidhur këtë problem”.

Top Channel