Itali, rikuperohen dhjetëra trupa në det

07/10/2013 15:50

Zhytësit italianë rikuperuan trupa të tjerë të emigrantëve të mbytur javën e shkuar në afërësi të ishullit të Lampeduzës, në një prej aksidenteve më të rëndë detarë të dekadës së fundit.

83 trupa u rikuperuan ditën e dielë brenda anijes së fundosur, ndërsa operacionet po vazhdojnë me intensitet edhe gjatë së hënës.

Me trupat e rikuperuar, numri zyrtar i të vdekurve shkon në 194. 200 persona janë ende të zhdukur, ndërsa 155 i mbijetuan aksidentit.

Ndërkohë, autoritetet kanë kundërshtuar akuzat për reagimin e ngadaltë në ardhjen në ndihmë për klandestinët.

Sipas Rojes Bregdetare Italiane, ajo ndërhyri sapo mësoi për atë që po ndodhte në det në jug të Lampeduzës, ndërsa reagimi më i shpejtë bëhej i pamundur për faktin se mjeti i klandestinëve nuk kishte asnjë radio apo celular funksional, ndaj edhe asnjë thirrje për ndihmë nuk mbërriti në Itali.

Me mijëra emigrantë të jashtëligjshëm tentojnë të kalojnë nga vendet e Afrikës së Veriut drejt Italisë çdo vit dhe aksidentet janë të zakonshme, por përmasat e këtij aksidenti kanë  tronditur të gjithë Europën.

Ndërkohë, Franca ka kërkuar një mbledhje urgjente të BE-së, për t’i ardhur në ndihmë Italisë që të përballet me këtë fluks emigrantësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA