Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Peter Blomeyer deklaroi të hënën se politikanët serbë mund të vijnë në Kosovë për të inkurajuar serbët që të dalin në zgjedhje dhe jo për fushata elektorale.

Sipas raportimeve të “RTK”, Blomeyer tha se vizita e kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç në Kosovë për qëllime të fushatës elektorale duhet të diskutohet në Bruksel.

“Unë do të këshilloja që të mos ekzagjerohet ky problem. Në përgjithësi unë besoj se do të ishte mirë që politikanët serbë të vijnë në Kosovë që të inkurajojnë qytetarët që të marrin pjesë në zgjedhje, mirëpo nuk duhet t’i jejojnë vetes që të marrin pjesë në fushata zgjedhore”, tha ambasadori Blomeyer.

Diplomati gjerman theksoi se nuk duhet të shndërrohen të gjitha gjërat në probleme etnike, por të trajtohen në aspekte të tjera.

“Etniciteti nuk është kriter i mirë për politikë dhe as gjyqësi. Ky rajon ka një rrugë të gjatë për të krijuar pikëpamje të tjera. Unë kam një vizion, për shembull që ekologët shqiptarë dhe ata serbë të krijojnë një parti të gjelbër apo të kemi liberalët shqiptaro-serbë. Ne duhet të luftojmë për qëllime politike dhe jo për etnicitet”, tha ai.

Ambasadori Blomeyer shtoi se lëvizjet që nuk respektojnë sistemin ekzistues të qeverisë dhe mundohen të veprojnë jashtë tij janë të rrezikshme.

Top Channel