Egjipt, niveli i alarmit i lartë

07/10/2013 22:00

Pas 50 të vdekurve në luftimet e përgjakshme mes mbështetësve të Morsit dhe forcave të rendit, që të dielën përfshinë të gjithë Egjiptin, të hënën vendi ka përjetuar sërish momente tensioni.

Sipas mediave ndërkombëtare, një seri sulmesh janë verifikuar kundër forcave të sigurisë, që për herë të parë kanë përfshirë gadishullin e Sinait.

Një autobombë ka shpërthyer në oborrin e brendshëm të sigurimit të Shtetit në Tour, kryeqendër e Sinait të jugut, duke vrarë dy agjentë policie.

Burime pranë forcave të sigurisë bëjnë të ditur se në atentat ka mbetur i plagosur nëndrejtori i sigurimit, Hatem Amin.

Menjëherë, nënvizojnë burimet, është rritur niveli i alarmit të sigurisë në radhët e policisë në lokalitetet turistike në detin e Kuq, Sharm el Sheikh dhe Taba, si dhe në portet përgjatë kanalit të Suezit.

Në mëngjes një automjet ushtarak u godit nga një breshëri plumbash teksa po udhëtonte nga lokaliteti Sharkija, në deltën e Nilit, drejt Ismailjias, përgjatë kanalit të Suezit.

Po në orët e para të ditës, një instalim telekomunikimesh në Kajro, në lagjen luksoze të kryeqytetit, është goditur nga predha të tipit RPG.

Një burim pranë Ministrisë së Brendshme ka deklaruar se sulmi ka shkaktuar dëme të kufizuara që nuk kanë pasur pasoja tek komunikimet ndërkombëtare.

Top Channel