Në gjysmën e tetorit Kosova pritet të nisë negociatat për MSA-në, ndërkohë që sipas parashikimeve të Prishtinës zyrtare, qeveria ka synim t’i përfundojë ato deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

Sipas përllogaritjeve, MSA-ja do t’i kushtojë Kosovës 20 milionë euro, por mninistrja e Integrimeve Vlora Çitaku thotë se, qytetarët do fitojnë 100 milionë të tjera.

“Ne kemi bërë kalkulimet pas heqjes duke aluduar në trendet e tanishme dhe nuk do të ketë kosto më të madhe se 20 milionë euro në vit, ndërkohë që përfitimet e qytetarëve të Kosovës nga heqja e doganave 10% pritet të jetë 100 milionë euro para më shumë në xhepat e tyre”, ka deklaruar Çitaku.

Në komisionin parlamentar për inegrime, Çitaku tha se Kosova do të vëzhgohet me kujdes të shtuar nga BE-ja gjatë zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.

“Nuk do mend që mbarëvajtja e procesit zgjedhor është jetike, është vendimtare, jo vetëm për marrëveshjen e MSA-së por edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe çfarëdolloj procesi të integrimit të Kosovës në familjen e BE-së, por edhe në familjen ndërkombëtare. Ne do të vlerësohemi me lupë, nuk do të kërkohet vetëm një proces zgjedhor mediokër, do të kërkohet një proces zgjedhor shembullor dhe në këtë pikë të gjitha partitë politike kanë përgjegjësi që të dërgojnë mesazhe të qarta, sidomos tek ata që bëjnë administrimin e votës, që ky proces nuk guxon të cënohet”, ka thënë Çitaku.

E pyetur rreth largimit eventual të EULEX-it, Çitaku ka thënë se kjo nuk ndikon, por duhet të përforcohet sistemi gjyqësor para se kjo të ndodhë.

Një shqetësim tjetër në këtë takim u ngrit edhe çështja e azilkërkuesve nga Kosova, ku në pesë vitet e fundit numri i tyre ka arritur në 14 mijë. Çitaku u bëri thirrje qytetarëve që të mos kërkojnë azil në vendet e BE-së pasi kërkesat do të refuzohen.

Top Channel