Argjentinë, presidentja do të operohet

07/10/2013 23:30

Presidentja e Argjentinës, Cristina Fernandez de Kirchner, do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale gjatë ditës së martë, për të trajtuar problemin e gjakderdhjes në tru, bënë të ditur doktorët.

Zonja Fernandez, 60 vjeçe, u detyrua më herët të merrte një muaj pushim nga detyra e saj, pasi mjekët zbuluan hematomën nën kafkën e kokës. Kjo diagnozë u bë teksa ajo po i nënshtrohej një testi gjatë së shtunës, për një tjetër shqetësim të ndjerë.

Kjo nënkupton se Fernandez do të duhet të pezullojë fushatën e saj për zgjedhjet për Kongres. Kjo ndërprerje e fushatës konsiderohet e pakëndshme për presidenten, pasi disa sondazhe sugjerojnë se qeveria mund të humbasë kontrollin e Kongresit në zgjedhjet e 27 tetorit.

Edhe pse partia e saj ka punuar mirë në çështjet primare në rang kombëtar, ajo ka dështuar të fitojë një karrige të nxehtë në provincën e Buenos Aires-it, kur rivali i saj dhe ish-shefi i kabinetit, Sergio Massa, mposhti kandidatin e caktuar prej zonjës Fernandez.

Ekspertët e mjekësisë thonë se rikuperimi nga një operacion i këtij lloji do të kërkojë një kohë të gjatë, ndaj dhe largimi i saj nga detyra pritet të jetë më i gjatë se 1 muaj. Ende nuk është zyrtarizuar publikisht, nëse zëvendës/presidenti Amado Boudou, i cili përballet me hetime për korrupsion, do të vihet në krye të vendit gjatë periudhës së pushimit të presidentes.

Top Channel