Dënim me 20 vjet heqje lirie ka propozuar Prokuroria greke për ish-ministrin e Mbrojtjes, Akis Tsochatzopoulos, me akuzën për pastrim parash, përfitim të ardhurash nga veprimtari të paligjshme dhe evazion fiskal.

Tsochatzopoulos, i cili ishte ministër i Mbrojtjes në vitet 1997-2001, akuzohet se ka marrë ryshfete nga marrëveshjet ndërqeveritare për blerje armësh në këto vite, çka vërtetohet nga hyrja e shumave kolosale të parave në llogaritë e tij bankare, duke dëmtuar shtetin me më shumë se 55 milionë euro.

Ai ishte dënuar gjithashtu, marsin e kaluar, me tetë vjet burg, për mosdeklarim të burimeve, nga ku ka përfituar pasurinë e tij dhe deklarata të rreme të ardhurash, për vitet 2006-2009.

Në këtë proces gjyqësor, i pari për natyrën e tij në Greqi, që ka vazhduar për 5 muaj, kanë marrë dënime të rënda edhe 17 nga 19 të akuzuarit e tjerë, kryesisht bashkëpunëtorë të tij.

12 vjet heqje lirie është propozuar për bashkëshorten e tij të dytë dhe 10 vjet për vajzën e tij. Gjykata pritet të japë vendimin përgjatë ditës së martë.

Tsohatzopulos , i cili është 74 vjeç, për disa vota mund të ishte bërë edhe kryeministër i vendit në vitin 1996, pas vdekjes së liderit të PASOK-ut, Andrea Papandreu.

Është ish-ministri i parë, që merr një dënim kaq të rëndë në historinë e Greqisë dhe gjykimi i tij është, sipas analistëve, shenja e parë e një katartisi në skenën politike, me anë të të cilit qeveria shpreson të zbusë zemërimin popullor ndaj politikanëve vendas, që ka arritur kulmin, pasi ata konsiderohen jo vetëm të korruptuar nga shoqëria greke, por edhe shkaktarë të krizës që po përjeton vendi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA