Tragjedi në garën me makina

06/10/2013 21:30

Ka përfunduar në tragjedi, një spektakël makinash në Meksikë, kur në “show”-n e njohur si “Monster Crush”, një automjet i modifikuar, me rrotat 1 metër e gjysmë të larta, doli nga rrethimi e u përplas mbi spektatorët.

Gjatë incidentit humbën jetën 6 persona e u plagosën me dhjetra të tjerë. Në mesin e viktimave është edhe një fëmijë.

Kamioni “përbindësh”, siç e quajnë ndryshe, po shkatërronte disa automjete të tjera më të vogla me rrotat e tij gjigante.

Por, sipas zyrtarëve lokalë të Chihuahua-s, ku dhe ndodhi ngjarja e rëndë, drejtuesi i tij humbi kontrollin kur kamioni ndeshi në një pengesë, e nuk arriti të shmangte përplasjen me turmën.

Një hetim ka nisur menjëherë mbi episodin fatkeq, i përqendruar te pretendimet se shkak i saj mund të jetë bërë një problem mekanik.

Iran, arrestohen sabotuesit e centralit bërthamor
Katër persona janë arrestuar në Iran, me akuzën e sabotimit të një centrali bërthamor. Kreu i organizatës vendase të energjisë atomike tha se aktivitetet e të ndaluarve ishin vendosur prej kohësh në monitorim.

Sipas Ali Akbar Salehit, ata janë kapur pikërisht në kohën kur po tentonin të dëmtonin punën në central. Salehi nuk dha as emrat, e as kombësitë e të arrestuarve, si dhe shmangu identifikimin e kompleksit, që ishte – sipas tij – shënjestra e personave në fjalë.

Njoftimi vjen në kohën kur shpresat për zgjidhjen e ngërçit, që ka shkaktuar mes republikës islamike dhe Perëndimit programi i saj bërthamor, janë ripërtërirë ndjeshëm.

Vetëm një javë më parë, presidenti iranian Hasan Ruhani komunikoi në telefon me shefin e Shtëpisë së Bardhë, Barak Obama, në përpjekje për të zbutur tensionet mbi ambiciet bërthamore të Teheranit.

Kinë, mjegulla shkakton kaos në transporte
Mjegulla e dendur, që ka mbuluar pjesë të tëra të provincës jugperëndimore të Kinës, Sichuan, ka detyruar autoritetet të mbyllin rrugët kryesore, e ka çuar në vonesa të mëdha të fluturimeve

Në qytetin e Huaying-ut, shikueshmëria nuk shkonte përtej 100 metrave. Drejtuesve të automjeteve u është dashur të përdorin dritat anti-mjegull, në të kundërt, qarkullimi me makine ishte i pamundur.

Problemet rezultuan në ngërçe të mëdha të trafikut, i cili u lirua disi vetëm pasi mjegulla nisi të largohej. 180 fluturime patën deri në tre orë vonesë, e nga kjo u prekën më shumë se 15,000 pasagjerë.

Top Channel