
Emërimet e reja në administratën e lartë qeveritare të ish-anëtarëve të KQZ-së, Albana Shtylla, Denar Biba dhe Ilirjan Muho, janë komentuar nga Partia Demokratike si shpërblim i kryeministrit Rama për ata që bllokuan punën në KQZ.
Sipas kësaj partie, ky është një tregues se sa të pavarur dhe apolitikë kanë qenë këta anëtarë të KQZ-së.
“Edi Rama po i shpërblen për punën prej militanti të zellshëm politik. Ashtu siç dhanë dorëheqjen njëkohësisht, po njëkohësisht Denar Biba u emërua kryetar i Komisionit të Prokurimeve Publike, ndërsa Albana Shtylla u emërua sekretare e përgjithshme e Kuvendit. Po kështu, Ilirjan Muho u emërua drejtor i përgjithshëm i Hipotekave. Shpërblimi i tyre me poste kyçe tregon haptazi se gjithçka që bënë këta individë e bënë si marioneta politike të mazhorancës së sotme”, deklaroi deputeti Oerd Bylykbashi para mediave.
Top Channel