Zgjedhjet e 3 nëntorit bashkojnë qytetin e Mitrovicës. Kështu u është drejtuar kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, mitrovicalijve në tubimin elektoral në Mitrovicë.

Kjo pavarësisht nga fakti se, janë pikërisht zgjedhjet e 3 nëntorit, të cilat bëjnë që veriu i qytetit të Mitrovicës të funksionojë i ndarë, pasi ky rajon shndërrohet në komunë më vete.

Kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga nënkryetari Kadri Veseli dhe kandidati për kryetar i Mitrovicës, Avni Kastrati, hapi fushatën në Mitrovicë dhe premtoi investime në projekte kapitale, në vlerën e 150 milionë eurove.

Partia e kryeministrit Thaçi mbajti tubimin zgjedhor edhe në Graçanicë, komunë kjo sërish me shumicë serbe. E ndërsa në qendër të Graçanicës mungojnë tërësisht posterat elektoralë të subjekteve shqiptare, vet PDK-ja u kujdes që tubimin e vet ta mbajë në fshatin Kishnicë.

AKR, fushatë në Prishtinë
Pacolli: Nuk meritojnë ta qeverisin më pushtetarët e sotëm

Aleanca Kosova e Re nisi të premten fushatën në Prishtinë. Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli, tha se Prishtina, si një kryeqytet europian, sipas tij nuk e meriton udhëheqjen që ka prej vitesh.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës hapi fushatën në Pejë. I pranishëm në tubim ishte vet kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili kërkoi votën për kandidatin Ali Berisha, i cili është dhe kryetari aktual i Pejës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nga tubimi parazgjedhor në Gjilan, ka kërkuar votën e qytetarëve, në mënyrë që – sipas tij – të ndryshohet qeverisja shumëvjeçare e keqe e këtij qyteti.

Ndërsa në kryeqytet, kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka premtuar ngritjen e një stadiumi me standardet e FIFA-s.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA