Egjipti nuk gjen qetësi

05/10/2013 01:15

Të paktën katër persona humbën jetën dhe 40 të tjerë u plagosën, pas përleshjeve mes përkrahësve të ish-presidentit, Mohamed Mursi, kundërshtarëve të tyre dhe forcave të sigurisë.

Të shtëna dhe shpërthime u dëgjuan në kryeqytetin Kajro. Ushtarët përdorën gazin lotsjellës për t’i ndaluar protestuesve mundësinë t’i afroheshin sheshit Tahrir. Televizioni shtetëror raportoi përleshje në veri, në Sharkija, në lindje, në Giza, si dhe qytetin verior të Aleksandrisë.

Asad paralajmëron Turqinë
“Do e paguajë shtrenjtë mbështetjen që i jep terroristëve në Siri”

Presidenti sirian, Bashar al-Assad, paralajmëroi Turqinë fqinje se do ta paguajë shtrenjtë për mbështetjen që u jep terroristëve në vendin e tij. Marrëdhëniet, dikur të ngushta mes Turqisë dhe Sirisë, u thyen pasi Ankaraja mbështeti kryengritësit, që synojnë të rrëzojnë regjimin e Assad-it.

Në një intervistë për televizionin turk, Assad akuzoi kryeministrin turk, Rexhep Taip Erdoan, se po lejon ekstremistët nga mbi 80 vende të botës të kalojnë kufirin e Turqisë. Sipas tij, “kjo ka sjellë vdekjen e dhjetra mijërave sirianëve”.

Komentet e presidentit sirian vijnë pak kohë, pasi parlamenti turk zgjati autorizimin për dërgimin e trupave në Siri, nëse do të jetë e nevojshme. Ky autorizim u miratua vitin e kaluar, pasi një mortajë siriane goditi Turqinë, ku humbën jetën pesë persona.

Qeveria e re gjermane
Kancelarja Angela Merkel nis bisedimet me kundërshtarët

Në Berlin kanë nisur bisedimet për formimin e qeverisë së re, mes konservatorëve të Kancelares Angela Merkel dhe kundërshtarëve të tyre të majtë. Partia Kristiandemokrate (CDU) nuk arriti të sigurojë shumicën, nga zgjedhjet që u zhvilluan muajin e kaluar, sepse partnerët e tyre liberalë nuk mundën të përfaqësoheshin me asnjë deputet.

Shtatë prej figurave qendrore të CDU-së u takuan me 7 prej përfaqësuesve të Partisë Socialdemokrate (SPD), që do të jenë me shumë gjasa partnerët e një koalicioni, pavarësisht dallimeve. Të pranishëm në bisedime janë edhe shtatë anëtarë të simotrës së CDU-së, nga Unioni Kristian-social.

Çështjet kryesore mes palëve do të jenë taksat dhe rroga mininale kombëtare.

Heroi i Pavarësisë së Vietnamit
Gjenerali Giap ndërroi jetë në moshën 102-vjeçare

Ndërron jetë në Hanoi, në moshën 102-vjeçare, gjenerali Vo Ngujen Giap, heroi i Pavarësisë së Vietnamit, komandanti i trupave që mposhtën francezët në Dien Bien Phu, në vitin 1974. Ai ishte në vijën e parë të betejave kundër amerikanëve, si në ofensivën e Tet, në vitin 1968, dhe atë të Paskuas, më 1972.

Mbajti disa funksione drejtuese pas ribashkimit të vendit. Në vitet e fundit, pavarësisht moshës, Giap kishte shprehur disa herë kundërshtimin e tij për shfrytëzimin e minierave të bauksitit, në qendër të vendit, i shqetësuar për ambientin dhe sigurinë kombëtare.

Top Channel