Dhjetra trupa janë zbuluar në një varr masim në Bosnjen veriore, të cilat besohen të jenë të muslimanëve boshnjakë dhe kroatëve të vrarë nga forcat serbe në ditët e para të luftës civile.
Ekspertë të mjekësisë ligjore kanë zbuluar gjithashtu 94 trupa në fshatin Tomasica, pranë qytetit Prijedor të Bosnjes, 260 km në veri-perëndim të Sarajevës, teksa thonë se presin të zbulojnë edhe shumë trupa të tjerë.
Gërmimet fillestare zbuluan një shtresë prej 7 metrash të trashë, të përbërë nga mbetje njerëzore të fshehura nën argjinatura artificiale.
Viktimat besohen të jenë muslimanë dhe kroatë nga zona e Prijedorit, të vrarë në verën e vitit 1992, kur forcat serbe të Bosnjes morën kontrollin e rajonit.
Ata janë vrarë përgjatë një fushate brutale për të eliminuar të gjithë shtetasit jo serbë nga të gjitha pjesët e këtij shteti, të kontrolluar prej serbëve gjatë luftës boshnjake 1992-’95.
Ushtritë paraushtarake dhe ushtria e Serbëve Boshnjakë dëbuan të gjithë popullsinë jo serbe, shkatërruan shtëpitë e tyre dhe ndanë familjet, duke detyruar mijëra të tjerë të mbylleshin në kampet e përqendrimit, ku ata u torturuan dhe më pas u ekzekutuan.
Pamjet e të burgosurve të dobësuar në një nga kampet e përqendrimit, Omarska, ngjasojnë me imazhet e Holokaustit, duke shokuar mbarë botën në verën e vitit 1992.
Më shumë se 3300 persona janë raportuar të humbur nga zona e Prijedorit. Deri më tani janë gjetur eshtrat e afro 2000 viktimave, të cilët janë identifikuar, shumica prej analizave të ADN-së.
Zyra e Prokurorisë në Bosnje bëri të ditur se, ata besojnë se ky është një nga varret masivë më të mëdhenj të gjetur ndonjëherë në këto anë të vendit.
Top Channel