Egjipt, konfiskohet pasuria e Vëllazërisë

04/10/2013 09:00

Qeveria egjiptiane do të konfiskojë të gjithë pronat dhe asetet e Vëllazërisë Muslimane, partisë politike më të madhe të vendit të nxjerrë jashtë ligjit më parë gjatë shtatorit.

Konfiskimet do të shtrihen edhe përtej aseteve zyrtare të Vëllazërisë, duke goditur edhe grupimet e tjera që ajo financon, përfshi spitalet, shkollat dhe aktivitetet humanitare.

Vendimi për të nxjerrë jashtë ligjit këtë parti islamike u mor pasi gjykata e konsideroi atë fajtore për të gjithë gjakderdhjen e ndodhur në vend pas rrëzimit nga ushtria të presidentit Mohammed Morsi.

I zgjedhur me votë, Morsi u rrëzua në korrik si rezultat i disa javë protestave kundër islamizimit që ai po i bënte vendit.

Megjithatë, në manifestimet që mbështetësit e Vëllazërisë realizuan në qytetet kryesore të vendit, disa qindra persona humbën jetën në përballjet e dhunshme me forcat policore.

Hani Mahanna, zëdhënësi i Ministrisë së Solidaritetit Shoqëror, përgjegjëse për vendosjen e këtij sanksioni, deklaroi se kabineti ka formuar një komitetet hetimor për të zbuluar të gjithë asetet dhe financimet e Vëllazërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA