Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka akredituar vëzhguesit për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit dhe ka miratuar raportin me refuzimin e rreth 33 mijë aplikacioneve për votim nga jashtë Kosovës.

Sipas këtij raporti, gjatë periudhës së regjistrimit për votim jashtë Kosovës, Njësia e Operacionit të Votimit ka marrë në rrugë postare 41 mijë e 168 aplikacione, por vetëm vetëm 8 mijë e 383 prej tyre janë aprovuar.

Drejtori ekzekutiv i SKQZ-së, Enis Halimi ka shpjeguar arsyet e refuzimit të 32 mijë e 785 aplikuesve, në mesin e tyre 1.000 aplikacione kanë pasur nënshkrimin e njëjtë dhe ka pasur disa raste ku aplikacionet kanë qenë të plotësuara me të njëjtin shkrim, apo ku ka pasur ndërhyrje në datat e lëshimit të skadimit të dokumenteve.

Ndërsa përfaqësuesi i lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Adnan Rrustemi denoncoi atë që e quajti ndërhyrje të OSBE-së në mënyrë të paligjshme dhe pa vendim të KQZ-së gjatë procesit të verifikimit dhe të vlerësimit të këtyre aplikacioneve.

Sipas tij, kjo përbën cënim të pavarësisë së KQZ. Në listën e votuesve për zgjedhjet lokale numri i votuesve është 1 milion e 767 mijë e 483, prej të cilëve 179 mijë e 164 votues që do të votojnë për herë të parë.

Top Channel