Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’u japë një mundësi të dytë serbëve të zhvendosur nga Kosova pas luftës, të cilët aplikuan për të votuar në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Nga rreth 40,000 sa kishin aplikuar, KQZ-ja aprovoi vetëm 6,593. Arsyet e refuzimit të rreth 34 mijë aplikimeve ndërlidhen me mungesën e dokumenteve, të cilat kërkohen me ligj. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, në një intervistë për Top Channel, tha se atyre do t’u jepet e drejta për ankimim pranë panelit zgjedhor për ankesa dhe parashtresa.

“Ndërsa të tjerëve, të cilët në një farë mënyre janë refuzuar, apo nuk i kanë plotësuar kushtet që të jenë votues do t’u jepet e drejta për ankimim në panelin zgjedhor për ankesa dhe parashtresa dhe, natyrisht, në qoftë se dikush ka pasur të drejtë dhe i është hequr padrejtëisht mundësia për të votuar, paneli zgjedhor do ta vlerësojë dhe do të marrë vendimin e vet”, tha Valdete Daka.

Këto komente zonja Daka i bëri një ditë para fillimit zyrtar të fushatës zgjedhore. Ajo tha se KQZ-ja ka marrë një vendim, nëpërmjet të cilit kontrollon shpenzimet e partive politike gjatë fushatës nëpër komuna. Kështu, në komunat që kanë deri në 5,000 votues, një subjekt politik ka të drejtë të shpenzojë 70 cent për një votues, ndërsa në komunat ku numri i votuesve është më i lartë se 5,000, shuma e shpenzimit është 50 cent për një votues.

KQZ-ja ka çertifikuar 103 subjekte politike, ndërsa në garën për pushtetin lokal në 38 komuna të Kosovës janë 224 kandidatë. E veçanta e këtyre zgjedhjeve është se, për herë të parë, ato organizohen në veriun e Kosovës dhe në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës, e cila në këto zgjedhje do të bëhet komunë.

Top Channel