Krerët e Policisë së Shtetit, të kryesuar nga drejtori i përgjithshëm Hysni Burgaj kanë zhvilluar të enjten një konferencë të përbashkët me homologët suedezë.
Në fjalën e tij, Burgaj ka deklaruar se Policia e Shtetit është e angazhuar për të përmirësuar shërbimin e saj për qytetarët.
“Policia e Shtetit ka marrë masa për rritjen e performancës së saj. Falenderojmë autoritetet policore suedeze për asistencën dhe bashkëpunimin e ofruar”, ka deklaruar Burgaj.
Ndërsa zyrtarët policorë suedezë, nga ana e tyre, kanë vlerësuar gjithashtu përmirësimin e kapaciteteve të policisë shqiptare dhe kanë shprehur vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit.
“Policia është shumë e përkushtuar për të punuar në aspektin e sistemit të performancës, për të përmbushur pritshmëritë e popullsisë shqiptare. Shpresojmë që angazhimi për rezultate më të mira do të vazhdojë”, deklaruan oficerët suedezë.
Situata e rendit publik në Shqipëri është cënuar në javët e fundit nga një seri atentatesh me eksploziv, që dyshohet se mbajnë firmën e krimit të organizuar.
Pak ditë më parë, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u kërkoi drejtuesve të policisë në qarqe që në mënyrë intensive të godasin rrjetet e prodhimit të lëndëve shpërthyese.
Tahiri tha se ka pritshmëri të madhe për të patur rezultate sa më të shpejta në fushën e goditjes së krimeve të kryera kryesisht me tritol.
Në takimin e zhvilluar pa praninë e mediave u fol gjithashtu për një hetim të ri për vrasjet më të bujshme të ndodhura në vitet e fundit.
Tahiri kërkoi rezultate të reja në hetimin për vrasjen e kolegut të tij, Fatmir Xhindi, pesë vjet më parë, si edhe të gjykatësit të Vlorës Skerdilajd Konomi.
Top Channel