Obama paralajmëron rrezikun e falimentit

03/10/2013 00:20

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka paralajmëruar se “Wall Street” duhet të shqetësohet nga fakti se një fraksion i Republikanëve konservatorë po kërkojnë të lejojnë falimentin e vendit për shkak të borxheve.

Bisedimet kanë nisur tashmë mes Obamës dhe liderëve të Kongresit nga të dy partitë, Republikane dhe Demokratike. Qeveria amerikane mbylli disa operacione jo-thelbësore gjatë së martës, pasi Kongresi dështoi të arrinte një marrëveshje të re mbi buxhetin.

Në një intervistë televizive gjatë së mërkurës, Obama tha se ishte “i irrituar”. Presidenti foli teksa një krizë buxhetore shpërtheu në Washington DC, ndërsa një tjetër, potencialisht më e rrezikshme, pritet të shpërthejë në javët e ardhshme.

Mbyllja e qeverisë ka lënë mbi 700 mijë punonjës me pushime të pacaktuara dhe të papaguara, si dhe mbylli parqet kombëtare, vendet turistike, faqet e internetit të qeverisë, ndërtesat qeveritare dhe shumë të tjera.

Ndërkohë, më 17 tetor, qeveria amerikane pret të arrijë limitin ligjor të marrjes së huave, në mënyrë që me këto fonde të plotësojë detyrimet e saj të borxhit.

Në të dyja rastet, republikanët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve kanë kërkuar lëshime nga Obama dhe demokratët e udhëhequr prej tij, në këmbim të financimit të operacioneve të vazhdueshme të qeverisë dhe në këmbim të ngritjes së kufirit të borxhit.

Kryesisht, republikanët kanë kërkuar tërheqjen, shtyrjen apo mosfinancimin e ligjit për reformë në kujdesin shëndetësor, të kaluar nga demokratët në vitin 2010.

Pjesa më e madhe e atij ligji, i cili u ligjërua si i vlefshëm edhe nga Gjykata Supreme dhe ka qenë një cështje madhore edhe përgjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2012, hyri në fuqi gjatë ditës së martë.

Të mërkurën, Obama u takua me krerët e disa prej bankave më të mëdha të “Wall Street”-it, përfshi këtu “JPMorgan Chase”, “Goldman Sachs” dhe “Bank of America”, për të diskutuar tavanin e borxhit dhe disa cështje të tjera ekonomike.

Bankat janë pjesë e Forumit të Shërbimeve Financiare, një grup lobues i cili, së bashku me 250 biznese të tjera, ka dërguar një letër në Kongres për të nxitur rritjen e kufirit të borxhit.

Pas takimit, Obama tha për CNBC se “është e rëndësishme për ta të pranojnë se kjo do të ketë një impakt të thellë në ekonominë tonë dhe në linjat e tyre të poshtme”. Obama tha gjithashtu se nuk dëshiron të negociojë “me krahun ekstremist të ndonjë partie”, edhe pse afati përfundimtar i 17 tetorit po afron.

“Mesazhi që unë kam për liderët e Kongresit është se, sa më shpejt të kemi një pjesë të qartë të legjislacionit që rihap qeverinë, deri sa të arrijmë këtë gjë, deri sa ne të jemi të sigurt se Kongresi do të lejojë Departamentin e Thesarit të paguajë për gjërat, që vet Kongresi e ka autorizuar, ne nuk do të ulemi në asnjë seri negociatash”, shtoi Obama.

Obama do të takojë kreun republikan të Dhomës, John Boehner, ashtu si dhe liderin republikan të Senatit, Mitch McConnell, liderin e shumicës demokrate të Senatit Harry Reid dhe lideren e minorancës së Dhomës, Nancy Pelosi.

Përpara takimit, Obama tha se Boehner nuk mundi t’i thoshte “Jo”, një fraksioni të vogël të partisë Republikane, dhe se nëse disa njerëz “lejohen të rrëmbejnë lëshime”, atëherë çdo president që do të pasojë atë do ta ketë “të pamundur të qeverisë në mënyrë efektive”.

Top Channel