Libi, sulm ambasadës ruse, të plagosur

03/10/2013 04:00

Një i armatosur ka sulmuar ambasadën ruse në kryeqytetin libian të Tripolit, gjatë së mërkurës, vetëm pak orë pas lajmit se një grua ruse ishte arrestuar me akuzën e vrasjes së një zyrtari të lartë ushtarak.

Ministria e Jashtme ruse tha se diplomatët ishin në gjendje të mirë dhe ishin evakuuar në kohë, teksa disa agresorë të paidentifikuar ishin përpjekur të hynin brenda ambasadës. Katër libianë u plagosën gjatë këtij sulmi, raporton media vendase.

Të shtëna armësh dhe hedhje raketash ndodhën në rrugët përreth kompleksit, ndërkohë që policia dhe njësitet ushtarake u nxorrën rreth ndërtesës me kamionë të pajisur me armë anti-ajrore.

Sulmi ndodhi pak orë pasi autoritetet libiane arrestuan një 24-vjeçare ruse, e akuzuar për vdekjen e një zyrtari ushtarak në apartamentin e tij në Tripoli.

Gruaja, e njohur me emrin Katerine, dyshohet se ka përdorur një armë automatike për të vrarë zyrtarin e forcave ajrore, inxhinier Mohamed Alsusi, bëri të ditur Hashim Bishar, kreu i Komitetit Suprem të Sigurisë së Tripolit, që përbën xhandarmërinë qeveritare.

Bishar tha për “the Guardian” se gruaja kishte qëlluar gjithashtu edhe nënën e viktimës, e më pas kishte përdorur gjakun e tij për të shkruar “Vdekje Minjve” në gjuhën angleze në muret e shtëpisë së tij. Ai tha se e kishte marrë në pyetje rusen për 6 orë, përpara se ta dorëzonte te autoritetet e drejtësisë.

“Ajo hyri në Libi si një gazetare, tashmë ndodhet në kujdestarinë e zyrës së prokurorit të përgjithshëm”, shtoi ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA