Shtetet e Bashkuara kanë ftuar në dialog dy superfuqitë aziatike, Kinën dhe Japoninë, në lidhje me territoret e pretentuara prej secilës të Senkakut, ishujt Diaju në kinezisht.
Një grup ishujsh mikroskopik, të ndodhur në Detin e Kinës Lindore në një distancë pothuajse të barazlaguar nga të dy shtetet janë shndërruar në një “mollë sherri” mes Pekinit dhe Tokios zyrtar prej disa vitesh.
Në këto kushte, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, kërkoi “bashkëbisedim për të arritur një zgjidhje të pranueshme për secilën palë, në vend të veprimeve të njëanshme që mund të kontribuojnë vetëm për të tensionuar edhe më tej situatën”.
“Ne do të vazhdojmë të ndjekim nga shumë pranë këtë çështje”, shtoi Sekretari i Shtetit.
Aktualisht, ishujt Senkaku kontrollohen prej Japonisë, por në zonë ka pasur disa përplasje, midis anijeve patrulluese të të dy shteteve.
Pekini ka protestuar fuqimisht ndaj blerjes së ishujve Senkaku prej pronarit të tyre të ligjshëm nga ana e qeverisë japoneze, duke e konsideruar këtë mënyrë të përvetësimit të territoreve si një precedent tejet të rrezikshëm për komunitetin ndërkombëtar.
Protesta dhe kundërprotesta janë mbajtur në të dy vendet, me Kinën që ka shpallur një bojkot të gjerë jozyrtar ndaj mallrave japoneze, ndërsa takimet e mëparshme diplomatike nuk kanë dhënë një rezultat për zgjidhjen e krizës.
Top Channel