Itali, mbetje trupore në “Costa Concordia”

03/10/2013 00:00

Zhytësit në zonën ku u mbyt anija turistike “Costa Concordia”, në Itali, kanë rekuperuar mbetje trupore njeriu, bëjnë të ditur autoritetet.

Zbulimi vjen disa ditë pasi Agjencia e Mbrojtjes Civile në Itali deklaroi se kishte gjetur mbetjet që mund t’i përkasin të paktën dy personave të humbur që nga katastrofa.

Të gjitha mbetjet janë dërguar në laboratore për testin e ADN-së. “Mbetje të tjera janë gjetur dhe po u nënshtrohen me kujdes testeve të ADN-së. Jemi në pritje të rezultateve të analizave”, deklaroi shefi i AMC, Franco Gabrielli.

Anija turistike u përplas me shkëmbinjtë dhe pjesërisht u mbyt në brigjet e ishullit Xhilio vitin e kaluar, ku si pasojë gjetën vdekjen 32 persona.

Muajin e kaluar nisi një operacion masiv për të ngritur anijen dhe për nxjerrjen e saj nga deti. Ndërkohë, kapiteni i anijes, Francesco Schettino po gjykohet për katastrofën.

Ai akuzohet për keqmenaxhim, duke shkaktuar përplasjen e anijes dhe duke e braktisur atë. Por ai vetë thotë se po bëhet “kurban” për fajet e të tjerëve.

Dy persona u raportuan të humbur pas tragjedisë, konkretisht kamarieri indian Russel Rebello dhe pasagjerja italiane Maria Grazia Trecarichi.

Korrespondentët e mediave të huaja raportojnë se mendohej se ata kishin mbetur të bllokuar mes anijes dhe shkëmbinjve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA