Dështon Këshilli Bashkiak i Tiranës

03/10/2013 22:20

Ka dështuar tentativa e parë për mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, pas një periudhe katër mujore të mosfunksionimit të tij, institucion që tashmë ka hyrë në ngërç.

Të majtët, që kanë tashmë shumicën në Këshillin e Bashkisë së kryeqytetit, nuk kanë qenë të pranishëm, pasi njoftimi mësohet të jetë bërë nga zëvendëskryetari, ndërsa ligji parashikon që ai të thirret nga kryetari i Këshillit Bashkiak, çështje për të cilën palët janë në konflikt.

Në mungesë të shumicës së anëtarëve, Këshilli nuk është mbledhur dot.

Gjatë kohës që pritej të zhvillohej mbledhja, përpara Bashkisë së Tiranës është zhvilluar protesta e banorëve të shpronësuar të zonës së Ish-stacionit të Trenit, ku do të bëhet zgjatimi i Bulevardit “Zogu i Parë”.

Pas disa minutave proteste, për çmimin e paarsyeshëm të shpronësimit të shtëpive të tyre, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka dalë për të biseduar me ta.

Ai ka pranuar se çmimi, që u është dhënë banorëve, është tejet i ulët krahasuar me tregun. Por, kryebashkiaku tha se kjo është e vendosur me ligj nga Parlamenti dhe Bashkia nuk ka kompetenca për ta ndryshuar, duke u ofruar një tjetër marrëveshje banorëve.

“Për çdo banesë, që duhet të prishet në kuadër të bulevardit, Bashkia të sigurojë një banesë për ata banorë. Por, kjo punë nuk zgjidhet në rrugë. Unë dua listën e plotë të kryefamiljarëve dhe nesër në 12:00, 12 përfaqësues të kryefamiljarëve të vijnë në zyrën e kryetarit të Bashkisë”, u shpreh Lulzim Basha, teksa banorët i kërkonin se përse nuk e kishte ofruar më parë këtë marrëveshje.

Banorët i kërkuan gjithashtu Bashës se, përse në rend të ditës, larg transparencës dhe mungesës së dijenisë së tyre, ishte vendosur akti i shpronësimit të tyre, fakt të cilin kryebashkiaku e mohoi.

Pas tij, banorët patën takim me këshilltarët e majtë në Bashkinë e Tiranës, në një tjetër ambient, të cilëve i shprehën shqetësimin për mungesën e transparencës së Bashkisë.

“Ne ju garantojmë se këtë gjë do ta kërkojmë. Nuk jeni vetëm në këtë veprim që keni nisur dhe është e drejtë e gjithsecilit, që të mos dëbohet nga shtëpia e tij, të respektohet nga institucionet, t’u dëgjohen të gjitha problemet që kanë, por ju mos e ndani nga goja për asnjë çast fjalën transparencë. Këtë iua këshilloj”, theksoi Aldrin Dalipi.

Megjithë garancinë, që të majtët dhanë, se çdo vendim që do të dalë i miratuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës do të shoqërohet me transparencë dhe konsultime me qytetarët, mësohet se prej disa muajsh, pranë këtij institucioni nuk është paraqitur asnjë propozim apo akt për vendimmarrje nga kryebashkiaku Basha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA