Biznesi ankohet për bankat

03/10/2013 00:00

Biznesi ankohet se sistemi bankar po tregohet i ngurtë dhe nuk po e kryen rolin e tij për të financuar ekonominë.

Avenir Kika thotë se me kushtet që vendosin bankat, marrja e një kredie mund të rezultojë fatale për ndërmarrjet.

“Biznesi nuk është i interesuar të marrë fajde, është i interesuar të ketë kredi. Duke mos marrë kredi me kushte optimale, siç ka sot në botë, nuk i afrohet dyerve të bankave. Përballon me sforco të jashtëzakonshme problemet që ka, mungesën e likuiditetit, duke u kthyer në klering, dhe nuk shkon në dyert e bankave, sepse bankat kanë kredi të tilla që për 5-10 vjet e groposin një ndërmarrje private”, thotë Avenir Kika, ndërtues dhe anëtar kryesie i Dhomes se Tregtise.

Në gusht kredia për sektorin privat ishte 1.9 për qind më e ulët se një vit më parë. Sherif Bundo profesor i financës thotë se Shqipëria ka hyrë në një situatë, që ai e përshkruan me termin e ekonomisë parazitare.

“Bankat financojnë Qeverinë, Qeveria merr hua nga bankat, kanë gjetur komoditetin; atëherë administrimi nuk është në atë nivel, që edhe nëse merr nje hua nga banka e përdor atë në eficencën maksimale, që ne të justifikonim dhe të thoshim që është zgjidhje e mirë edhe kjo që po ndodh. Jo! Nuk është zgjidhje e mirë dhe kjo që po ndodh”, thotë profesor Bundo.

Zoti Bundo mendon se ka ardhur koha që bankat të ndryshojnë profil dhe të mos mbeten thjesht ndërmjetëse të parasë.

“Bankat duhet të lidhen me bizneset private shqiptare me interesa pronësore, që do të thotë, duhet të marrin përsipër të futen në bashkëprojekte, ose në projekte të përbashkëta me bizneset”, thotë Bundo.

Përfshirja e bankave në projektet private zgjidh ngërçin e financimeve dhe përmirëson menaxhimin. Por zoti Bundo thotë se ne nivel kombetar përfitimet do të ishin shumë më të mëdha.

“E para do të përshpejtohej zhvillimi ekonomik, do të përshpejtohej procesi i hapjes së vendeve të reja të punës, e treta do të investohej në sektorë të rëndësishëm dhe strategjikë që do të thotë do të realizoheshin jo zgjidhje sot për sot, por do të krijohej një profil më i qartë për ekonominë e nesërme. Futja e bankave do të jetë një iniciativë e re për të marrë përsipër projekte të mëdha”, thotë Bundo.

Për shumë vite me radhë sektori bankar ka qenë një nga udhëheqësit kryesor të zhvillimit ekonomik. Por dy vitet e fundit kontributi i tij në rritjen ekonomike është kthyer në negativ. 

Top Channel