Shefat e inteligjencës: Bllokada, shkatërruese

02/10/2013 00:00

Zyrtarë të vjetër të shërbimeve amerikane të inteligjencës kanë paralajmëruar se bllokimi i qeverisë amerikane “dëmton seriozisht” aftësitë e agjencive të spiunazhit për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara.

Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, James Clapper tha para një paneli të Senatit se rreth 70 për qind e punonjësve të shërbimeve të inteligjencës janë lënë pa pagë.

Gjithashtu, shefi i agjencisë elektronike të spiunazhit në Shtetet e Bashkuara deklaroi se morali i punonjësve është i shkatërruar. Qeveria amerikane pezulloi operacionet jothelbësore ditën e martë, pasi Kongresi dështoi në arritjen e një marrëveshjeje për buxhetin.

Zoti Clapper u shfaq përpara komisionit gjyqësor të Senatit të mërkurën, duke paralajmëruar ligjvënësit se dëmi i shkaktuar ndaj kapaciteteve të shërbimeve sekrete nga bllokada e qeverisë do të jetë “tinzar”.

“Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për zonën e Uashingtonit. Kjo prek kapacitetet tona globale për të mbështetur ushtrinë, diplomacinë dhe politikëbërjen tone”, deklaroi ai.

Zoti Clapper paralajmëroi gjithashtu se mungesa e pagesës së punonjësve gjatë bllokadës mund të shkaktojë probleme financiare të rënda, pasi mund të bëjë që agjentët të joshen nga shërbimet sekrete të huaja. “Kjo situatë është ëndrra e shërbimeve sekrete të huaja”, nënvizoi zyrtari.

Edhe gjenerali Keith Alexander, drejtor i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, shprehu shqetësimin për faktin se punonjësit e spiunazhit elektronik kanë mbetur pa paga.

“Vendit tonë i duhen njerëz të tillë. Dhe mënyra se si po i trajtojmë ata është njësoj sikur t’i shesim. ‘Shkoni në shtëpi sepse ne nuk mund t’ju paguajmë’”, deklaroi Alexander.


Bllokada e qeverisë
ka lënë mbi 700 mijë punonjës shtetërorë pa paga dhe ka çuar në mbylljen e parqeve kombëtare, resorteve turistike, faqeve qeveritare të internetit, godinave qeveritare, etj.

Top Channel