SHBA, bllokada hyn në ditën e dytë të saj

02/10/2013 03:10

Bllokada politike, që detyroi mbylljen e një pjese të rëndësishme të qeverisë amerikane gjatë së martës, duke sjellë pasiguri financiare për qindra e mijëra punonjës federalë, duket se do të hyjë në ditën e dytë pa një zgjidhje.

Ndërkohë që monumentet kombëtare u rrethuan, muzeumet u mbyllën dhe qindra e mijëra punonjës u ndeshën me një periudhë pushimi të pacaktuar, Barack Obama bëri thirrje ndaj republikanëve të heqin dorë nga kundërshtimi i tyre për reformat në kujdesin shëndetësor, në vend që “të mbajnë peng të gjithë ekonominë e vendit”.

Duke folur me një ton sfidues nga “Kopshti i Trëndafilave” në Shtëpinë e Bardhë, një nga zyrat qeverisëse që operojnë me staf më të reduktuar tashmë, Obama deklaroi se Akti për Kujdes Shëndetësor të Përballueshëm ishte aty “për t’i bërë ballë kësaj sfide”.

I rrethuar nga qytetarë, të cilët do të përfitojnë nga reformat, dispozitat qëndrore të të cilave hynë në fuqi të martën, Obama tha: “Ata e mbyllën qeverinë bazuar mbi një kryqëzatë ideologjike për të mohuar sigurimin e përballueshëm shëndetësor ndaj miliona amerikanëve”.

Lideri republikan i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, u fokusua te refuzimi i Obamës dhe liderëve të tjerë demokratë për të negociuar. “Presidenti ende nuk po e tregon të gjithë historinë, kur vjen puna te mbyllja e qeverisë. Fakt është se demokratët e Washington-it i përplasën derën rihapjes së qeverisë, duke refuzuar pjesëmarrjen në bisedime bipartizane”, tha ai.

Agjencitë federale të prekura nga bllokimi nisën procesin e mbylljes së zyrave të tyre të martën, vetëm pak orë pasi Kongresi dështoi të kalonte një zgjidhje për buxhetin, që do të siguronte financimin e vazhdueshëm të tyre.

Republikanët ekstremistë në Dhomë refuzuan vazhdimisht të tërhiqeshin nga këmbëngulja e tyre, se marrëveshja për buxhetin federal duhej lidhur me masa të ndryshme që nuk do të përfshinin Aktin për Kujdes Shëndetësor të Përballueshëm, një ligj që kishte kaluar të dy dhomat e Kongresit, i mbijetoi zgjedhjeve presidenciale dhe që është konsideruar si kushtetuese nga një gjykatë supreme konservatore.

Gjithsesi, në Capitol Hill, ka pasur disa shenja për një zgjidhje, teksa Dhoma e dominuar nga republikanët këmbëngulte për përdorimin e buxhetit për pengimin e ligjit të kujdesit shëndetësor, ndërsa demokratët në Senat refuzuan të uleshin në negociata.

Të dy palët akuzojnë njëra-tjetrën për mbylljen e qeverisë, edhe pse disa krisje u shfaqën te pala republikane, veçanërisht në Senat. Sondazhet sugjerojnë se publiku fajëson si më shumë përgjegjës republikanët për mbylljen e qeverisë, gjë që mund të zvarritet për ditë apo javë të tëra.

Qëllimisht, një nga liderët republikanë të Dhomës la të kuptohej se beteja mund të zgjaste me javë të tëra, që do të përfshinte edhe rrezikun e një krize mbi tavanin e borxhit, që do të shkaktonte falimentimin e SHBA-ve, nëse kufiri nuk do të rritej me aprovimin e Kongresit përpara 17 tetorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA