Rouhani, “ciu ciu” me shefin e Twitter

02/10/2013 00:00

Profili i përdorur nga presidenti iranian Hassan Rouhani ka shkëmbyer “cicërima” me presidentin e Twitter, duke shtuar spekulimet se embargoja mbi rrjetet sociale në Iran mund të hiqet.

Jack Dorsey dërgoi një mesazh në llogarinë e presidentit të martën, ku e pyeste: “A janë qytetarët iranianë në gjendje të lexojnë mesazhet tuaja?”.

Përgjigjia ishte se ai po punonte për të garantuar që qytetarët “të kishin akses të lehtë tek gjithë informacioni global, si e drejtë e tyre”.

Zoti Dorsey u përgjigj sërish: “Ju lutem, na thoni se si t’ju ndihmojmë që këtë ta bëjmë realitet”.

Faqe interneti si Facebook, Twitter dhe Youtube janë të ndaluara në Iran, edhe pse shumë banorë të këtij vendi i kalojnë kufizimet duke përdorur rrjete virtuale private, VPN.

Administrata e re iraniane, që erdhi në pushtet në muajin gusht, po përdor mediat sociale si një mjet diplomatik për të komunikuar me pjesën tjetër të botës.

Ministri i Jashtëm iranian, Javad Zarif ka një faqe aktive në Facebook, ashtu sikurse ministri i Naftës, Bijan Zanganeh. Zoti Rouhani, slogani i fushatës së të cilit ishte “maturi dhe mençuri”, ka një profil në Twitter që prej kohës së fushatës elektorale.

Më herët ai postoi një mesazh urimi për Vitin e Ri për iranianët hebrenj, si dhe konfirmoi bisedën telefonike me presidentin amerikan Barack Obama.

Por megjithatë, ka ende paqartësi pasi nuk dihet se kush operon në profilin e presidentit iranian në Twitter. Menaxhimi i faqes së presidentit nuk është verifikuar ende nga rrjeti social, i cili vendos një shenjë blu për profilet që i konfirmon si origjinale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA