Vetëm pak ditë përpara nisjes zyrtare të fushatës elektorale në Kosovë për zgjedhjet vendore, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i shoqëruar nga kandidati për kryetar i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, zhvilluan një takim prezantues në Tiranë.

Gjatë këtij takimi, Kurti ka paraqitur përpara të pranishmëve programin politik, ose atë që ai e quan “Alternativa Qeverisëse”, e cila – sipas tij – do të sjellë ndryshimin për qytetarët e Kosovës.

Edhe gjatë këtij takimi, Albin Kurti nuk ka kursyer sulmet dhe kritikat kundër marrëveshjes Thaçi-Daçiç.

Ndërkaq, duke u ndalur te bashkimi kombëtar dhe te nacionalizimi, që karakterizon Lëvizjen Vetëvendosje, Albin Kurti theksoi se janë qarqe të caktuara, ato që nuk duan bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, pasi – sipas tij – Bashkimi Europian asnjëherë nuk e ka kundërshtuar një nismë të tillë.

“Bashkimi Europian nuk është në kundërshtim me bashkimin tonë kombëtar, por as nuk e zëvendëson atë në Bruksel, pasi atje ne do të bashkohemi me danezët, me gjermanët, me francezët dhe të tjerët. Ne shqiptarët duhet të bashkohemi këtu në Ballkan, për shkak se kufinjtë që na ndajnë nuk janë kufinjtë tanë, nuk janë vendosur me pjesëmarrjen tonë, dhe nuk janë vendosur as në mënyrë paqësore. Pra, Bashkimi Europian nuk është në kundërshtim me bashkimin kombëtar, por as nuk e zëvendëson këtë”, theksoi Albin Kurti.

Në fund të këtij takimi, Albin Kurti dhe Shpend Ahmeti i bënë thirrje të gjithë të rinjve shqiptarë, që të kontribuojnë gjatë muajit të fushatës për të mbështetur Lëvizjen Vetëvendosje, si e vetmja forcë politike, e cila në themel të saj ka mirëqenien dhe bashkimin e të gjithë shqiptarëve.

Top Channel