Bllokada, Obama shkurton turin në Azi

02/10/2013 00:00

Presidenti amerikan Barack Obama ka shtyrë për më vonë gjatë vitit dy etapa në turin e tij aziatik, për shkak të paralizimit të qeverisë.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se nga ana logjistike nuk ishte e mundur të vazhdohej me udhëtimet në Malajzi dhe Filipine, në fund të turit prej 4 ndalesash.

Por megjithatë presidenti do të ndjekë samitet rajonale në Indonezi dhe Brunei, njoftoi gjithashtu selia presidenciale në Uashington.

Zoti Obama kishte në program të niste turin e tij aziatik të shtunën, duke u drejtuar për në Bali për samitin e APEC dhe në Brunei për samitin e Azisë Lindore, për të vijuar më pas në destinacionet e anuluara në Malajzi dhe Filipine.

“Nga ana logjistike turi nuk mund të vijojë me dy etapat e fundit pasi personeli ynë nuk është në vendin e duhur dhe nuk jemi në gjendje të vazhdojmë me planifikimet”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.

“Ndryshe nga samiti i APEC dhe ai i Azisë Lindore, këto udhëtime mund të riprogramohen dhe presidenti Obama mund të vizitojë Malajzinë dhe Filipinet më vonë gjatë mandatit të tij”, vijon njoftimi.

Më herët, zyra e kryeministrit të Malajzisë, Najib Razak, bëri të ditur se zoti Obama e kishte telefonuar atë për ta informuar se sekretari i Shtetit, John Kerry do të jetë në vend të tij në një konferencë për biznesin më 11 tetor në Kuala Lumpur.

Zoti Obama është detyruar të anulojë udhëtimet e tij në Azi edhe më parë për shkak të çështjeve të brendshme të Shteteve të Bashkuara.

Në vitin 2010, votimi për reformën shëndetësore dhe katastrofa e naftës në Gjirin e Meksikës, të ndodhura respektivisht në mars dhe qershor, bënë që ai të anulonte vizitën në Indi, Kore e Jugut, Japoni dhe Indonezi.

Top Channel