Venezuela dëbon 3 diplomatë amerikanë

01/10/2013 00:00

Venezuela ka njoftuar se do të dëbojë tre diplomatë amerikanë, të cilët i akuzon për komplot me qëllim sabotimin e ekonomisë së vendit.

Presidenti Nicolas Maduro deklaroi se diplomatët kanë 48 orë për të lënë vendin, duke thënë: “Yankees, shkoni në shtëpi”.

Zoti Maduro pretendon se ka prova se treshja ka marrë pjesë në një plan sabotazhi të organizuar në shtator duke korruptuar disa kompani venezueliane për të reduktuar prodhimin e tyre.

Ai e bëri njoftimin e tiji gjatë një ceremonie zyrtare në qytetin Santa Ana. “Jashtë Venezuelës! Yankees, shkoni në shtëpi! Boll keni abuzuar me dinjitetin e një vendi paqedashës”, tha Maduro.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Venezuela kanë mbetur pa ambasadorët përkatës në kryeqytetet e dy vendeve që prej vitit 2010, kur president i vendit latin ishte Hugo Chavez.

Diplomatët e përjashtuar janë identifikuar me emrat Kelly Keiderling, i ngarkuar me punë dhe diplomati më i vjetër amerikan në Karakas; Elizabeth Hunderland dhe David Mutt.

Venezuela po përballet me një rënie të rezervave të mallrave të ndryshme, përfshirë letrën higjenike, sheqerin dhe miellin. Opozita fajëson për këtë situatë politikat e krahut të majtë të zotit Maduro dhe retorikën e tij për krizat.

Top Channel