Të bashkuar kundër terrorizmit

01/10/2013 00:00

Të krishterë, muslimanë dhe hindu u bashkuan në lutje të përbashkëta në Nairobi në nderim të viktimave të sulmit terrorist mbi qendrën tregtare në kryeqytetin kenian që la dhjetra viktima.

Lutjeve të besimtarëve të tre komuniteteve kryesore në vendin afrikan iu bashkua presidenti i vendit, Uhuru Kenyatta, zëvendësi i tij Ëilliam Ruto dhe kreu i opozitës Raila Odinga.

67 civilë dhe gjashtë pjestarë të forcave të sigurisë humbën jetën gjatë sulmit terrorist të militantëve somalezë të Al Shabab mbi qendrën tregtare “Westgate” në Nairobi.

Sulmi nisi më 21 shtator dhe zgjati për 4 ditë me radhë duke terrorizuar gjithë zonën. Gjatë gjithë kohës dëgjoheshin të shtëna armësh dhe shpërthime të fuqishme, ndërsa të mbijetuarit e tragjedisë treguan horrorin e përjetuar.

Qendra tregtare frekuentohej kryesisht nga shtresa e pasur e Kenias dhe nga të huajt që jetojnë në këtë vend dhe disa herë ishte vënë në qendër të kërcënimeve të militantëve të Al Shabab që kërkojnë tërheqjen e trupave keniane nga Somalia.

Ndërkohë, të hënën një komision parlamentar vendas nisi shqyrtimin e mundësisë për mbylljen e kampeve me refugjatë somalezë. Qindra-mijëra të tillë strehohen në vendin fqinj në përpjekje për t’iu shmangur luftës dhe trazirave që zgjasin prej vitesh në vendin e tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB