SHBA, shkarkohen dy gjeneralë të marinës

01/10/2013 00:00

Kreu i Trupave të Marinës së Shteteve të Bashkuara ka urdhëruar shkarkimin e dy gjeneralëve për shkak se dështuan në mbrojtjen e bazës Camp Bastion në Afganistan, gjatë një sulmi të talebanëve.

Gjenerali James Amos deklaroi se gjeneral-major Charles Gurganus dhe gjeneral-major Gregg A Sturdevant nuk morën masat e duhura mbrojtëse për të ndalur sulmin e vitit 2012, nga i cili dy marinsa humbën jetën ndërsa tetë anëtarë të stafit të bazës mbetën të plagosur.

Gjithashtu, gjatë të njëjtit sulm, guerrilasit talebanë shkatërruan gjashtë avionë amerikanë dhe dëmtuan seriozisht disa të tjerë. Katërmbëdhjetë nga 15 atentatorët mbetën të vrarë, ndërsa i mbijetuari u arrestua. Marina amerikane dhe Forcat Ajrore Mbretërore të Britanisë u përfshinë në kundërsulmin ndaj rebelëve.

Në qershor gjenerali Amos i kërkoi Komandës Qendrore të SHBA që të kryente një hetim dhe deklaroi se kishte vendosur të ndërmerrte veprime ndaj dy gjeneralëve, pas rishikimit të raportit hetimor.

Duke pranuar rezultatet e hetimit, gjenerali Amos ka shkruar: “Ndonëse jam i ndërgjegjshëm për shkallën e vështirësisë së veprimit të marinsave në Afganistan, detyra më kërkon që t’i qëndrojë besnik aksiomës së përgjegjësisë së komandës dhe llogaridhënies”.

Ai ka shtuar se, gjenerali Gurganus është tërësisht përgjegjës për jetët e humbura dhe pajisjet e dëmtuara nën urdhërat e tij dhe bëri “një gabim në gjykim” duke nënvlerësuar rrezikun që vinte nga talebanët në zonën Bastion, në provincën e Helmandit.

Komandanti i Marinës Amerikane shtoi më tej se gjenerali tjetër, Gregg A Sturdevant, “që ishte në krye të forcave të aviacionit në rajon, nuk mori masat e duhura mbrojtëse për situatën”.

Gjenerali Amos u kërkoi të dy oficerëve që të tërhiqeshin ditën e hënë, duke u folur atyre përmes një videokonference nga Pentagoni, ka bërë të ditur një oficer i marinës për agjencinë e lajmeve Reuters. Të dy gjeneralët pranuan kërkesën.

Top Channel