“Paralizimi i qeverisë është diçka e padrejtë”. Kështu deklaron presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, disa orë pas dështimit në arritjen e konsensusit mes demokratëve dhe republikanëve.
Duke iu drejtuar punonjësve publikë, të prekur nga bllokimi i qeverisë federale për shkak të mungesës së fondeve, Obama ka thënë: “Shpesh herë ju trajtoheni si topa grushtimi”.
Ndërkohë, të vetmit që nuk janë pezulluar nga paraliza që nisi në mesnatë, me orën e Amerikës dhe rreth orës 5 të mëngjesit me tonën, janë forcat e armatosura amerikane.
Kjo, pasi presidenti Obama ka firmosur një ligj të aprovuar nga Dhoma e Senatit pak para bllokimit të shtetit federal, për të siguruar që ushtria dhe punonjësit civilë të Pentagonit të vazhdojnë të paguhen.
Sipas raportimeve të mediave amerikane online, janë 1.4 milionë ushtarakët që do të vazhdojnë të jenë në detyrë, pavarësisht bllokadës, e para në 17 vitet e fundit.
Mbyllja e pjesshme e aktivitetit të qeverisë federale pati ndikim të menjëhershëm te dollari. Monedha amerikane u zhvlerësua në treg ndaj monedhave të tjera, kryesisht ndaj euros, paundit britanik dhe jenit japonez, si pasojë e frikës së tregjeve se ngërçi politik do të godasë ekonominë e vendit.
Brenda pak orëve dollari ra në nivelin më të ulët të shkëmbimeve në një vit e gjysmë, ndërsa analistët thonë se megjithë paralajmërimet për mbylljen e qeverisë, investitorët shpresuan në një ujdi të minutave të fundit mes demokratëve dhe republikanëve në Kongres.
Mbyllja zgjat nga një ditë deri në një muaj. Por ajo që frikson më shumë tregjet është mosgjetja e një zgjidhjeje mes ligjvënësve amerikanë mbi mosmarrëveshjet që kanë për tavanin e borxhit, kur kanë mbetur pak më shumë se 2 javë nga dita kur nuk do të ketë më para për të paguar faturat e borxhit, përfshirë atë të jashtëm.
Top Channel