Ndihmat humanitare në Siri

01/10/2013 00:00

Pas miratimit të rezolutës për eliminimin e stoqeve të armëve kimike të Sirisë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së është duke i fokusuar përpjekjet tek përmirësimi i qasjes së ndihmave humanitare në vendin e rrënuar  nga lufta.

Anëtarët e Këshillit të Sigurimit, Australia dhe Luksemburgu javët e fundit kanë punuar në një dokument lidhur me çështjet humanitare në Siri. Ambasadori australian Gary Quinlan, i cili ishte president i Këshillit për muajin shtator, sqaroi se dokumenti ka qarkulluar në duart e anëtarëve të shtunën dhe shpresat janë që ata të bien dakord për një deklaratë presidenciale brenda këtyre ditëve.

“Konsultimet kanë qenë mjaft konstruktive. Kjo e jona është një nismë mjaft e guximshme. Do të donim që deklarata të miratohej të mërkurën ose e shumta të enjten. Të shohim si do të shkojë, nuk dua të bëj parashikime, por duhet te kishim vepruar me kohë përsa i takon situatës së rënduar humanitare në Siri”, tha Gary Quinlan, Ambasador i Australisë në OKB.

Këshilli i Sigurimit arriti më në fund javën e kaluar të kapërcente ngërçin më shumë se dy vjeçar mbi Sirinë, duke miratuar njëzëri rezolutën që detyron regjimin të asgjesojë arsenalin e armëve kimike deri në mesin e vitit të ardhshëm.

Sa i takon përpjekjeve humanitare, deklarata e negociuar kërkon t’u bëhet thirrje autoriteteve siriane të përshpejtojnë qasjen e sigurt dhe të papenguar të ndihmave humanitare për njerëzit në nevojë, duke përfshirë lëvizjen në mes të vijave të konfliktit dhe kur është e nevojshme edhe në mes të kufijve me vendet fqinje.

Qeveria siriane ka autorizuar operimin e vetëm 12 grupeve të ndihmave ndërkombëtare brenda vendit. Kombet e Bashkuara thonë se shumë qytete janë të bllokuara nga luftimet, ndërsa dhjetra postblloqe bllokojnë rrugët kryesore duke penguar shpërndarjen e ndihmave për miliona njerëz në nevojë urgjente.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB