Mbyllja e qeverisë, bie dollari

01/10/2013 00:00

Mbyllja e pjesshme e aktivitetit të qeverisë federale pati ndikim të menjëhershëm të dollarit. Monedha amerikane u zhvlerësua në treg ndaj monedhave të tjera kryesisht ndaj euros, paundit britanik dhe jenit japonez, pasojë e frikës së tregjeve se ngërçi politik do të godasë ekonominë e vendit.

Brenda pak orëve, dollari ra në nivelin më të ulët të shkembimeve në një vit e gjysmë ndërsa analistët thonë se megjithë paralajmërimet për mbylljen e qeverisë, investitorët shpresuan në një ujdi të minutave të fundit mes demokratëve dhe republikanëve në Kongres.

Mbyllja e pjesshme aktivitetit të qeverisë federale është e para në 17 vitet e fundit dhe zgjat në një ditë deri në një muaj. Por ajo që frikson më shumë tregjet është mosgjetja e një zgjidhjeje mes ligjvënësve amerikane mbi mosmarrëveshjet që kanë për tavanin e borxhit kur kanë mbetur pak më shumë se 2 javë nga dita kur nuk do të ketë më para për të paguar faturat e borxhit, përfshirë atë të jashtëm.

Ndikim mund të ketë edhe raporti i punësimit për muajin shtator i Departamentit të Thesarit që duhet të publikohet brenda të premtes. Mediat amerikane deklarojnë se raporti nuk është gati dhe se me gjasë nuk do të mund të publikohet të premten.

Top Channel