Mazhoranca qeverisëse shkon në 84 deputetë, duke u kthyer kështu në një mazhorancë të cilësuar.
Deputeti i Partisë Republikane, Luan Duzha, i zgjedhur në qarkun e Elbasanit më 23 qershor, ka lënë këtë parti opozitare dhe i është bashkuar Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Lajmi konfirmohet nga burime të PR-së, parti e cila tashmë mbetet me 3 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë.
Koalicioni i majtë kishte 83 deputetë nga zgjedhjet e fundit dhe tashmë, me kalimin e republikanit Duzha, shkon në 84 të tillë, aq sa vota duhen për të miratuar çdo ligj dhe reformë të rëndësishme, që kërkon shumicë të cilësuar në Kuvend, gjatë këtij mandati 4-vjeçar qeverisës.
Ky është kalimi i parë i një deputeti nga njëri kamp në tjetrin, për këtë sesion të ri parlamentar, i cili ka vetëm tri javë që ka nisur.
Ndërkohë që, kalimet e deputetëve nga njëri krah në tjetrin janë shndërruar në një fenomen në 8 vitet e fundit, falë të cilave qeveria “Berisha” arriti të mbijetonte mandatin e shkuar, pavarësisht se në fund pati vetëm 68 deputetë.
Kalimi nga PR, në opozitë, te LSI, në pushtet, i deputetit Duzha, lëvizje që u mësua pasditen e vonë të së martës, nuk është sqaruar ende prej tij, po ashtu nuk kanë reaguar ende as drejtuesit e forcave politike respektive.
Top Channel