Lufta ndaj drogës e dështuar

01/10/2013 00:00

Drogat ilegale tani janë më të lira dhe me cilësi më të pastër në të gjithë botën, më shumë se kurrë më parë në 20 vitet e fundit. Kështu thotë raporti i Qendrës Ndërkombëtare për Shkencat e Politikës së Drogës, i cili sugjeron se lufta e shteteve kundër narkotikëve ka dështuar.

Raporti, i publikuar në British Medical Journal Open, analizon të dhënat nga shtatë sisteme ndërkombëtare të mbikëqyrjes së drogës, të financuar nga qeveritë e vendeve përkatëse.

Studiuesit që e kanë hartuar deklarojnë se ka ardhur koha që përdorimi i drogës të konsiderohet një çështje shëndetësore sesa një çështje e drejtësisë kriminale.

Shtatë sistemet për mbikëqyrjen e drogës vëzhguan informacionet e mbledhura në 10 vjet mbi çmimin dhe pastërtinë e kanabisit, kokainës dhe opiumit, përfshirë heroinën.

Raporti thotë se çmimet e drogave që shiten në rrugë ka rënë mes viteve 1990-2010, ndërkohë që pastërtia dhe efikasiteti i tyre janë rritur. Në Evropë për shembull, mesatarja e çmimeve të opiumit dhe kokainës ra përkatësisht me 74 dhe 51 për qind mes viteve 1990-2010, njoftoi qendra me bazë në Vankuver.

Raporti evidenton gjithashtu se ka pasur një rritje në të gjitha anët e botës të kokainës, heroinës dhe kanabisit të sekuestruara nga agjencitë e zbatimit të ligjit që prej vitit 1990.

Shumica e strategjive kombëtare për kontrollin e drogës janë fokusuar në përforcimin e ligjit për të frenuar furnizimet, pavarësisht thirrjeve për të studiuar taktika të tjera si dekriminalizimi apo legalizimi, thotë raporti.

Në fund dokumenti mbyllet duke thënë: “Këto zbulime sugjerojnë se zgjerimi i përpjekjeve për kontrollin e tregut ilegal të drogave në rang global përmes forcimit të ligjit po dështojnë”.

“Ne duhet të shohim drejt implementimit të politikave që vendosin shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve në vijën e parë të përpjekjeve tona dhe ta konsiderojmë përdorimin e drogës si një çështje të shëndetit publik, sesa si një çështje të drejtësisë kriminale”, deklaroi doktor Evan Wood, bashkëautor i raportit dhe kryetar i qendrës që bëri studimin.

Sipas tij, “duke qenë se përpjekjet për të reduktuar furnizimet me drogë kanë pak gjasa të jenë të suksesshme, atëherë duket qartë se ka një nevojë për të hartuar strategji për trajtimin e vartësisë nga droga, në mënyrë që të ulet dhe dëmi i shkaktuar prej këtyre lëndëve”.

Top Channel