Shtetasit e huaj që dëshirojnë të rregullojnë qëndrimin e tyre në Maqedoni ballafaqohen me sjellje arrogante dhe jo humane në sektorin për të huaj pranë Ministrisë së Brendshme në Shkup.

Me këtë problem në të shumtën e rasteve përballen të rinjtë apo të rejat nga Kosova që martohen në Maqedoni, të cilët kërcënohen se me polici do të depërtohen jashtë vendit.

Këtë shqetësim e ka ngritur në Kuvend para zëvendësministrit të Brendëshëm, Zemri Qamili, deputetja e BDI-së dhe njëherësh nënkryetare e Kuvendit, zonja Suzana Saliu, e cila bëri thirrje që të ndërpritet urgjentisht kjo sjellje.

“Madje, sjelljet e tyre jo humane shkojnë deri në atë vijë, saqë nuseve të Maqedonisë që janë nga jashtë, administratorët e sektorit për të huaj i kërcënojnë se do t’i depërtojnë me polici deri në kufi, duke i pyetur: nuk është gjetur ndonjë nuse apo ndonjë dhëndër nga Maqedonia, por i kanë sjellë nga jashtë?”, deklaroi Saliu.

Por ngritja e kësaj problematike nga deputetja e BDI-së në foltoren e Kuvendit u quajt improvizim nga opozita shqiptare, e cila vlerëson se partia të cilës i përket zonja Saliu nuk është e interesuar për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve.

“Çdo lloj improvizimi që mund të bëni këtu në Parlament është kot, kur keni rënë prej një provimi shumë të rëndësishëm siç është ai i zbatimit dhe respektimit të gjuhës shqipe në këtë Kuvend. Nuk flas për më shumë, se e di që nuk keni fuqi për më shumë”, deklaroi deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu.

Deputeti Bekim Fazliu po ashtu akuzoi kolegët e tij nga Bashkimi Demokratik për Integrim, se nuk kanë përkrahur asnjë nga iniciativat e PDSH-së në Kuvend për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.

Top Channel