Komisioni Europian e vlerësoi të nevojshëm aktin normativ të qeverisë për Ligjin për Shërbimin Civil dhe e konsideroi një zgjidhje thjesht teknike në pritje të miratimit të akteve nënligjore që mungonin.

“Siç e kuptojmë qeveria ndërmori dje hapa për të shmangur boshllëkun ligjor që do të krijohej nga hyrja në fuqi e ligjit të ri të pandryshuar. Pra amendimi teknik që u mor dje është thjesht teknik dhe nga pikëpamja jonë këtu nuk ka ndonjë çështje. Rëndësia e këtij ligji mbetet e njëjtë dhe ai do të zbatohet pasi të kenë hyrë në fuqi aktet nënligjore. Ky problem teknik u zgjidh nga vendimi i djeshëm teknik i qeverisë”, deklaroi Peter Stano, zëdhënës i Komisionerit për Zgjerim, Stefan Fule.

Komisioni mirëpret përdorimin e ligjit të vitit 1999 për shmangjen e boshllëkut ligjor në ato pjesë të ligjit ku pritet të bëhen ndryshimet e nevojshme, ndërsa në lidhje me konsensusin që nevojitet për ndryshimet e radhës, KE thotë se pret një proces të qetë përderisa ndryshimet që kërkohen janë thjesht teknike.

Ditën e hënë, mazhoranca e re qeverisëse nuk u tërhoq nga qëndrimi i artikuluar disa ditë më pare për ligjin e nëpunësit civil. Në mbledhjen e qeverisë ky ligj u diskutua i pari ndër 33 vendime që janë prodhuar nga Këshilli i Ministrave nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.

Nëpërmjet një akti normativ qeveria vendosi ndryshimin e nenit 70 dhe 72. Akti normativ bën që ky ligj të hyjë në fuqi më datën 1 tetor 2013, siç ishte parashikuar, por e fillon efektin e tij 6 muaj pas hyrjes në fuqi, që do të thotë se për gjashtë muajt e ardhshëm qeveria do të operojë me ligjin për statusin e nëpunësit civil miratuar në vitin 1999.

Ky akt normativ i qeverisë argumentohet me faktin se: “duke pasur në konsideratë parashikimet e ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, pazbatueshmërinë e tij për shkak të mungesës së akteve nënligjore dhe natyrës së përgjithshme të ligjit, kohën e pamjaftueshme për të bërë rregullime ligjore sipas procesit legjislativ, nevojën për organizimin institucional, efektet financiare mbi buxhetin e shtetit dhe gjendjen ekonomike financiare”.

Top Channel