Turqi, më shumë të drejta kurdëve

30/09/2013 17:20

Kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan lajmëroi një reformë të thellë politike, e cila përfshin të drejta të zgjeruara për popullsinë kurde dhe rikthimin e perçes në administratë dhe shkolla.

Gjithashtu, kryeministri propozoi reduktimin e pragut zgjedhor prej 10%, që është një pengesë për pjesëmarrjen në Parlament të partisë kurde dhe forcave të tjera më të vogla përfaqësuese të pakicave kombëtare.

Në bazë të reformës, qytetet me mbizotërim të popullsisë kurde do të lejohen që të përdorin gjuhën dhe emrin e tyre.

Erdogan do të përfshijë në projektligj edhe heqjen e ndalimit të përdorimit të perçes në shërbimin publik, një objektiv afatgjatë i partisë së tij.

Ndalimi i perçes ka qenë një prej çështjeve më të debatuara prej vitesh në Turqi, me mbështetës të shumtë midis atyre që përkrahin shtetin laik dhe kundërshtarë po aq të shumtë, mes radhës së konservatorëve e përkrahësve të promovimit të identitetit islamik turk.

Top Channel